Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vazhdon me vendime skandaloze që vendosin në pikëpyetje transparencën dhe ligjshmërinë e përdorimit të fondeve publike, por edhe financimet ndërkombëtare. Një investigim i Ina Media ka treguar se punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës kanë tejkaluar afatin, ndërsa shteti shqiptar ka marrë një tjetër kredi për punime shtesë. Kjo ka çuar në rritjen e kostos: nga 69.6 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A., tashmë kostoja ka arritur në 91.7 milionë, thuajse aq sa kërkuan dy kompanitë e tjera që u skualifikuan. Shtesat miliona eurosh për fonde janë zhvilluar pa garë, me justifikimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së punës.
Një pjesë e punimeve kryhen nga kompania shqiptare “Prima Energy”, pa eksperiencë të mëparshme në këtë sektor. Punimet janë ende në proces, ndërkohë që janë akorduar fonde shtesë që së bashku me kontratën fillestare kapin vlerën totale prej rreth 118.3 milionë euro. Këtyre fondeve pritet t’u shtohen edhe kostot për elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë që janë duke u analizuar. Ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë një përgjigje për afatin përfundimtar kur udhëtarët do të mund të përdorin trenin e linjës Tiranë-Rinas-Durrës, BERZH bëri me dije se Hekurudha Shqiptare vlerëson se i gjithë projekti, përfshi edhe elektrifikimin, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2026. Megjithatë, për udhëtarët nuk ka ende një stacion ku të mund të presin trenin e linjës Tiranë-Rinas-Durrës.
Investigimi i marrë me shkurtime
Më 16 tetor 2024, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi mbërritjen në Shqipëri të një makinerie moderne të quajtur Tamping ose, thënë ndryshe, makina “rrahëse”. Sipas saj, kjo makinë do t’u jepte hov punimeve për rikonstruksionin dhe ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas. Ky njoftim për punimet e hekurudhës është i disati i bërë nga ana e ministres Balluku prej 3 shkurtit 2021, kur ajo, së bashku me përfaqësues të Delegacionit Europian në Tiranë; të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH); përfaqësues të iniciativës Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (ËBIF), si dhe ambasadorin italian Fabrizio Bucci, ishte e pranishme gjatë nënshkrimit të kontratës mes Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë italiane “INC S.P.A., që u shpall fituese e tenderit të këtij projekti që shpresohet të rijetëzojë segmentin kyç të rrjetit hekurudhor shqiptar.
Asokohe, Balluku deklaroi se hekurudha do të përfundonte për 30 muaj, në verën e vitit 2023, duke kursyer për çdo vit 55 milionë euro krahasuar me përdorimin e automjeteve. Por ndërkohë që po lëmë pas 2024-n, buxheti për këtë projekt është rritur ndjeshëm nga ai i përcaktuar në kontratën fillestare, ndërsa punimet kanë “mbetur rrugëve”. Ky projekt u financua nga Bashkimi Europian (BE) me vlerën e 35.5 milionë eurove. “… do të kursejë kohë të çmuar për udhëtarët dhe studentët dhe do të nxisë rritjen e bizneseve në dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë”, shkroi në rrjetet sociale zyra e Bashkimit Europian në Tiranë në datë 28 shtator 2020. Veç sponsorizimit të BE-së, shteti shqiptar mori edhe një hua sovrane prej 36.87 milionë eurosh nga BERZH-i.
Tenderi
Tenderi ndërkombëtar për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore deri në aeroportin “Nënë Tereza” u njoftua më 11 qershor 2019, në faqen online të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ai u fitua nga kompania italiane INC S.P.A., që paraqiti ofertën më të ulët në vlerën prej 69.6 milionë eurosh, ndërsa u skualifikuan dy kompanitë e tjera pjesëmarrëse që paraqitën oferta shumë të ngjashme me njëra-tjetrën: shoqëria STS-KALPATARU (KPTL) J.V, që kërkoi 92.2 milionë euro për kryerjen e punimeve dhe SINOHYDRO-EEB J.V.A me ofertë 92.5 milionë euro. Procedura ndërkombëtare e tenderit, monitorimi i punimeve nga BE, BERZH, WIBF, si dhe nga qeveria shqiptare, nuk arritën të bëhen garant që ky projekt të realizohej, ashtu siç ishte parashikuar, në verën e vitit 2023.
Po ashtu, zbatuesit e projektit, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, përfituan pa garë një vlerë të konsiderueshme monetare, me justifikimin se ishin rritur çmimet dhe kostoja e punës, shumë që qeveria e siguroi sërish përmes një huaje nga BERZH-i. Sipas të dhënave të publikuara në faqen online të BERZH-it, ky projekt parashikon rehabilitimin e 34.7 km të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e 5.4 km deri në aeroportin e Rinasit. Ai është pjesë e rrugës së dytë të rrjetit kryesor të Ballkanit Perëndimor, që lidh qytetet e Podgoricës në Mal të Zi dhe të Vlorës në Shqipëri. Sipas BERZH-it, projekti do të mbështesë zhvillimin ekonomik kombëtar të Shqipërisë dhe do të kontribuojë në integrimin rajonal të vendit, duke përmirësuar lidhjen e qyteteve kryesore me Portin e Durrësit dhe aeroportin “Nënë Tereza”. BERZH shkruan në njoftim se i ka dhënë hua shtetit shqiptar në vlerën 77.5 milionë euro për realizimin e këtij projekti me kosto totale 140.8 milionë euro.
Vonesa dhe afate të tejkaluara
Premtimet për përfundimin e punimeve mbetën në letër dhe deklaratat e ministres Balluku duket se i mori era. Projekti ka pësuar ndryshime bazuar në ligje të reja, që serviren si justifikime për vonesat, duke sugjeruar për mungesë planifikimi nga institucionet shtetërore. Hekurudha Shqiptare refuzoi të vendoste në dispozicion një kopje të kontratës së nënshkruar me kompaninë italiane INC S.P.A për zbatimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe ndërtimin e linjës hekurudhore drejt aeroportit “Nënë Tereza”. I njëjti refuzim erdhi edhe për punimet shtesë, duke pretenduar se janë konfidenciale dhe përcaktimet në kontrata nuk lejojnë publikimin e asnjë elementi. Mosrespektimin e afateve në realizimin e projektit, Hekurudha Shqiptare e lidh me vonesat në procesin e shpronësimit dhe me ndryshimet e projektit fillestar.
“Arsyet pse projekti hekurudhor ka pësuar shtesa në afat kanë qenë disa: Së pari, procesi i shpronësimit për ndërtimin e linjës së re hekurudhore nga Domja në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar te Tiranës (TIA). Së dyti, u vendos ndërtimi i të gjitha urave, pasi paraprakisht ishte vendosur rehabilitimi. Por me ndryshimet e ligjit të ri të sizmikës u vendos të ndërtoheshin të reja. Së treti, elektrifikimi i plotë i linjës hekurudhore si një alternativë miqësore me mjedisin”, shpjegoi Hekurudha Shqiptare. Në një përgjigje me shkrim, Hekurudha Shqiptare pretendon se tejkalimet lidhen vetëm me afatet, por jo me kostot. Sipas këtij institucioni, të gjitha ndryshimet e pësuara janë përfshirë në fondin prej 70 milionë eurosh të akorduar në kontratën fillestare.
Në vijim të përgjigjes sillet në vëmendje se financimi i projektit është i huaj, ku 50% mbulohet nga fondet e Bashkimit Europian me grant, 50% nga BERZH-i me kredi, ndërsa TVSH-ja paguhet nga buxheti i shtetit dhe marrëveshjet e grantit dhe kredive janë ratifikuar me ligj. Hekurudha Shqiptare nuk vendosi në dispozicion as kopje të raporteve të inspektimeve të kryera, ndërkohë që në përgjigjen e parë të kthyer në muajin prill bëri me dije se projekti pritet të përfundojë më 21 shkurt të vitit 2025. As Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës nuk iu përgjigj kërkesës së “INA Media”-s për vendosjen në dispozicion të kontratave dhe të dhënave për ecurinë e monitorimit të projektit, si dhe afatin e përfundimit të punimeve.
Rritje e kostove
Për tejkalimin e afateve në përfundimin e punimeve të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës nuk raportohen penalizime për askënd, ndërkohë që shoqëria italiane ICN S.P.A. ka përfituar fonde shtesë pa garë, me argumentin se janë rritur çmimet dhe kostot e punës. Në përgjigje të një kërkese për informacion, Hekurudha Shqiptare bëri me dije se është miratuar financim shtesë në qeveri për projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës dhe pritet të vijojë me aprovimet në komisionet përkatëse parlamentare, si dhe ratifikim në Kuvend. Financimi është 100% kredi e butë nga BERZH-i. Më konkretisht, Hekurudha Shqiptare informoi se ka siguruar financim prej 10.5 milionë eurosh nga BERZH-i për ndërtimin e 9 stacioneve të reja, duke përfshirë edhe stacionet përgjatë linjës së re që do të ndërtohet në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Ndërsa në një njoftim të BERZH-it në faqen online thuhet se do të ndërtohen afërsisht 8 stacione dhe ndalesa. Po ashtu, nëpërmjet ËBIF dhe BERZH-it është siguruar financim me vlerë 16.1 milionë euro për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore në zgjatimin 4 km, nga Terminali i Transportit Publik Tiranë te stacioni qendror te Bulevardi i Ri Tiranë. Gjysma e fondit do të jetë kredi e butë nga BERZH-i, ndërsa gjysma tjetër do të mbulohet sërish nga një grant i Bashkimit Europian. Në vijim, Hekurudha Shqiptare sqaron se këta komponentë shtesë nuk janë pjesë e kontratës fillestare dhe si të tillë nuk do të zbatohen nga ana e kontraktorit të punimeve INC S.P.A. Duke sqaruar se shtesat janë subjekt tenderimi ndërkombëtar sipas procedurave të BERZH-it, Hekurudha Shqiptare sjell si shembull se sapo ka përfunduar tenderi i godinave dhe është në proces finalizimi të kontratës së re me një kontraktor të ri punimesh.
“Do të vijohet me procedurë prokurimi edhe për zgjatimin prej 4 km, edhe për elektrifikimin e linjës vitin e ardhshëm. Pra, nuk janë kontratë shtesë të kompanisë INC”, – thuhet në përgjigje, duke shtuar se arsyeja përse nuk ishin parashikuar më parë këto punime dhe kosto shtesë ishte mungesa e fondeve në atë periudhë. Hekurudha Shqiptare sqaron se elektrifikimi i linjës hekurudhore është në fazën e finalizimit të projektimit nga ana e një kontraktori të huaj, të kontraktuar e financuar nga BERZH-i dhe se vitin e ardhshëm do të shpallet procedura ndërkombëtare e prokurimit. Në përfundim, bëhet me dije se punimet sipas planit të punës dhe kontratës ekzistuese në fuqi parashikohet të përfundojnë në mars të vitit 2025 për sa i përket linjës infrastrukturore hekurudhore. Për ndërtimin e godinave nuk u njoftua një afat se kur mund të përfundojnë.
Detajet
“INA Media” i drejtoi BERZH-it pyetje të detajuara lidhur me fondet shtesë për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, si dhe për punimet. Nëpërmjet një përgjigjeje të përmbledhur, BERZH-i njoftoi se Shqipëria ka kërkuar fond shtesë në vlerën 40.7 milionë euro për projektin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, fond që është miratuar plotësisht. Për ndërtimin e stacioneve hekurudhore u bë me dije se është nisur një procedurë e hapur tenderimi në përputhje me politikat dhe rregullat e prokurimit të BERZH-it, procedurë që është në vazhdim. Ndryshe nga Hekurudha Shqiptare, që shprehet se kompania INC S.P.A. nuk do të përfitojë nga fondet shtesë, BERZH-i sqaron se pjesa e fondeve që i përket rritjes së kostos do të përdoret për financimin e punimeve në kuadër të projektit ekzistues, që po zbatohet nga kompania italiane INC S.P.A. Por vlera e kësaj pjese të fondeve nuk u bë me dije.
“Këto fonde do të financojnë rritjen e kostos si rezultat i rritjes së çmimit të materialeve dhe punës”, shkroi BERZH-i, por pa dhënë më shumë detaje. Nga përllogaritja e të dhënave të vendosura në dispozicion për vlerën totale të financimit prej 40.7 milionë eurosh dhe shumat e akorduara për dy projektet shtesë në masën 10.5 milionë euro dhe 16.1 milionë euro, ku gjysma e kësaj të fundit mbulohet nga një grant i BE-së, rezulton se pjesa tjetër e kredisë nga BERZH-i, e marrë me justifikimin e rritjes së çmimeve dhe kostove të punës, është më shumë se 22.1 milionë euro – vlerë që, sipas BERZH-it, kalon për projektin ekzistues që po zbatohet nga shoqëria INC S.P.A.. Nga 69.6 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A., tashmë ka arritur në 91.7 milionë, thuajse aq sa kërkuan dy kompanitë e tjera që u skualifikuan.