Elmas Bogdani
Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin që synon njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-kooperativat bujqësore për llogaritjen e pensioneve në sistemin e sigurimeve shoqërore. Tashmë, të gjitha vitet e punës përpara vitit 1993, do t’u njihen qytetarëve edhe nëse nuk janë të dokumentuara nëpër regjistrat shtetërorë. Janë 29.500 qytetarë që pritet të përfitojnë nga ky vendimi qeverisë, që tashmë do t’u njihen vitet e punës edhe përse nuk u rezultojnë të dokumentuara.
Çfarë parashikon projektligji?
Projektligji përcakton disa kategori kryesore: Punësimi në institucione shtetërore dhe ish-ndërmarrje shtetërore: Periudhat e punësimit nga mosha 18 vjeç deri në hyrjen në fuqi të ligjit për sigurimet shoqërore në vitin 1993, do të njihen si vite sigurimi. Punësimi në ish-kooperativat bujqësore: Njihen periudhat e punësimit nga mosha 18 vjeç deri në hyrjen në fuqi të ligjit për tokën në vitin 1991. Punësimi në ish-ndërmarrjet bujqësore: Njihen periudhat e punësimit deri në hyrjen në fuqi të vendimit për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore në vitin 1992.
Procedurat dhe kriteret
Njohja e këtyre periudhave do të bëhet sipas deklaratës së kërkuesit, me kusht që: -Kërkuesi të ketë qenë me vendbanim në qytet ose fshat gjatë periudhës së deklaruar. -Të mos ketë vuajtur dënim me heqje lirie gjatë periudhës përkatëse. Gjithashtu, projektligji përfshin dispozita për rivlerësimin e pensioneve ekzistuese në rastet kur përfituesit deklarojnë periudha të tjera pune. Qytetarët që tashmë po mbushin moshën e pensionit, por nuk iu rezultojnë vitet që kanë punuar përpara 93-shit, do t’u njihen periudhat e sigurimit pa pengesa procedurale. Ky hap sipas Ministrisë së Ekonomisë, shmang zvarritjen e qytetarëve në dyer të gjykatave, ku ata shkojnë për njohjen e viteve. Nga këto ndryshime do të përfitojnë 7500 persona që kanë punuar në ish kooperativat bujqësore dhe 22 mijë persona që kanë punuar në ish ndërmarrjet bujqësore dhe ndërmarrje shtetërore. Vetëm për vitin e parë të hyrjes në fuqi të ligjit ministria thotë se kostoja në buxhet është 40 milionë lekë.
Rishikimi i buxhetit vendos fondin për pensionistët
Nga ana tjetër, qeveria pritet që gjithashtu së shpejti të rishikojë buxhetin për vitin 2024, ku për shkak të perfomancës së mirë në të ardhura, do të rialokohen fondet, duke krijuar edhe një “xhep” të veçantë për bonusin e pranverës për pensionistët. Në një intervistë për SCAN, eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, shprehet se përpos bonusit, pensionistët kanë nevojë për indeksim real të pensioneve. “Nuk është zgjidhje bonusi, pensionistët kanë nevojë për rritje, indeksim të ndjeshme që marrin në konsideratë shportën e konsumit dhe jo inflacionin e përgjithshëm”. Nga ana tjetër ai thekson se rialokimet e fondeve duhet të përqendrohen në sektorë që nuk janë trajtuar sa duhet gjatë këtij viti.
“Sektorët që kanë vuajtur më shumë gjatë 2024, janë bujqësia dhe industria dhe fokusi duhet të ishin këto sektorët. Po ashtu edhe shëndetësia. Këto para duhet të shkojnë në këtë drejtim dhe të përmirësoheshin shërbimet në spitale” . Tashmë është bërë e përvitshme që në bazë të perfomancës së ekonomisë, qeveria rishikon buxhetin në mbyllje të vitit, duke u fokusuar kryesisht në rialokimin e fonde në projekte me ecuri më të mirë./sot