Elmas Bogdani
Në politikën shqiptare, tensionet mes mazhorancës dhe opozitës shpesh kanë prodhuar akuza të ndërsjella për marrëveshje të fshehta apo interesa të përbashkëta që shkojnë përtej rivalitetit të dukshëm publik. Gazeta “SOT” do të rendisë të gjitha pazaret që kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD, Sali Berisha kanë bërë gjithë këto vite nën tavolinë dhe bashkëpunimi i tyre final mesa duket është asgjësimi i Prokurorisë së Posaçme, që iu rrezikon pozitat për t’i çuar në burg për dosjet e zeza të mbushura me krime, grabitje dhe vrasje që mbajnë emrin e tyre.
Edhe njeriu më “naiv” kupton qartë se mes dyshes Rama-Berisha ka patur pazare që qëndrojnë dhe tani. Marrëveshja e tyre e heshtur politike i ka fillesat zyrtarisht që nga viti 2005, kur kreu i qeverisë shqiptare erdhi në krye të Partisë Socialiste. Ky pakt ende vazhdon dhe tani Rama në pozitën e tij të vështirë që ndodhet së fundmi, duke përmendur skandalet që i kanë plasur dhe presionin ndaj SPAK, i ka varur shpresat e mbijetesës duke bashkëpunuar me kreun e PD për t’i shpëtuar ciklonit të drejtësisë së re.
Faktet që evidentojnë pazaret Rama-Berisha
Le ta fillojmë me Gërdecin. Më 15 mars 2008, në depot e demontimit të municioneve në Gërdec, ndodhi një shpërthim që brenda një kohe të shkurtër u kthye në tragjedi, duke marrë jetën e 26 njerëzve. Kjo ngjarje i dha qeverisë Berisha goditjen më të rëndë gjatë mandatit të parë. Atë ditë kur në Spitalin Ushtarak vinin trupat e gjakosur nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, kryetari i PS-së Edi Rama, i shoqëruar nga deputetë të partisë së tij, nga më kritikët ndaj qeverisë, siç ishte Erjon Braçe, u shfaqën në krah të Berishës për ta mbështetur në këtë situatë të rëndë që po kalonte vendi. Rama vendosi dorën e tij mbi shpatullat e Sali Berishës dhe gati sa nuk i fshiu lotët. Mesazhi ishte i qartë:
“Jemi bashkë në krime dhe në vjedhje, në kapjen e drejtësisë dhe në shfajësime, në alibi dhe manovra dhe asgjë nuk do të ndodhë. Mos u mërzit pasi asgjë nuk do të ndodhë”. Dhe në fakt ashtu u bë. Për gjithë këto vite, Rama nuk lëvizi gishtin për ndëshkimin e Berishës. U desh ndërhyrja e SPAK që të rinisnin hetimet. Pas viteve të zvarritjeve në sistemin e drejtësisë, duket se SPAK po afrohet më pranë figurave kyçe të këtij skandali. Emri i Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit, është lakuar shpesh për përfshirje të dyshuar në marrëveshjet që çuan në tragjedinë e 2008-ës. Burime të afërta me hetimin sugjerojnë se ai mund të merret i pandehur për rolin e tij në këtë aferë. Dyshohet se SPAK ka siguruar dëshmitë e shumë bashkëpunëtorëve të tij në këtë biznes si kontrollues dhe përfitues kryesor prej këtij biznesi vrasës.
Marrëveshja e 2008
Nga ana tjetër, mesnatën e 21 prillit 2008, Sali Berisha kryeministër e kryetar i PD dhe Edi Rama kryebashkiak i Tiranës e kryetar i PS, bënë një pazar privat për ndryshimin e Nenit 68 të Kushtetutës, duke krijuar sundimin personal në parti, parlament e qeveri. Berisha e Edi Rama, miq, ortakë e bashkëpunëtorë të hapur e të maskuar, në shumë fshehje, mbrojtje e amnisti krimesh dhe aferash korruptive të njëri-tjetrit, sajuan seancë të posaçme parlamentare, për të caktuar në Kushtetutë, që deputetët, nuk duhet t’i zgjedhë populli, por vetëm kryetarët e partive me listë dhe këtë krim anti-parlamentar, deputetë-lolot e PD-PS e votuan për 6 minuta.
Bëhet fjalë, për Ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008, miratuar nga Bamir Topi, me Dekret Nr. 5700, datë 06.05.2008, me të cilin prej vitesh, deputetët nuk propozohen, nuk miratohen e nuk përzgjidhen nga populli, por nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Metaj, Monika Kryemadhi, dhe kryetarët e partive, që marrin pjesë në zgjedhje. Ky pazar anti-kushtetues i ka kthyer partitë, shtetin, qeverinë, presidencën e parlamentin, në “kulla” private e pazare hajdutësh dhe shpella krimi. E veçanta e pazarit Berisha-Rama, është hipokrizia e Edi Ramës ndaj krimeve monstruoze e ç’njerëzore të Sali Berishës, që provohet nga fakti, se Rama e ka pranuar, firmosur e votuar këtë ligj famëkeq, në datën 21 prill 2008, vetëm 36 ditë, pas tragjedisë së Gërdecit me 26 viktima, të vrarë në biznesin kriminal shtetëror të familjes “Berisha”.
Kompleksi “Partizani”
Një nga pazaret e Berishës dhe Ramës është dhe kompleksi Partizani, aferë për të cilën SPAK ka marrë të pandehur kreun e PD. Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme del dhe emri i Edi Ramës, i cili në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, ka miratuar si shesh ndërtimi kompleksin publik “Partizani”, si godinë banimi dhe shërbimesh me 5, 7 dhe 9 kate, me 2 kate parkim nëntokë. Ky veprim me gjuhën e ligjit quhet abuzim, shkatërrim dhe grabitje e pronës publike, ndërsa me gjuhën e klanit Rama-Berisha, quhet përfitim dhe pasurim. Qëllimi ishte për të kthyer kompleksin sportiv “Partizani” në shesh ndërtimi për ndërtim pallati e pallatesh, ku pronar i këtij ndërtimi rezulton se është edhe dhëndri ish-kryeministrit te “duarve të pastra” Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i Argitës.
Masakra e “21 Janarit”
Ngjarja që të gjithë menduan se Berisha do të shkonte në burg ishte 21-janari, me vrasjen e 4 protestuesve përpara Kryeministrisë. Deklaratat e Ramë se kur të vinte në pushtet do e çonte në burg Berishën i bënë njerëzit që të besonin se për të ishte fundi. Edhe pse ka tre mandate, qe qëndron në pushtet edhe prej sakrificës sublime të Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit, por nuk të hetoi kurrë ashtu si pati premtuar para gjithë shqiptareve. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Shërbimi Sekret Shtetëror janë nën kontrollin e Ramës prej 10 vitesh, por çuditërisht nuk gjetën dot asnjë provë për të ndëshkuar vrasësit e “21 janarit”.
U desh ndërhyrja e Strasburgut që dosja nga Prokuroria e Tiranës të kalonte për SPAK. Pas 12 vjetësh, Gjykata Europiane e të të Drejtave të Njeriut, e cila shqyrtoi edhe një herë nga e para krimin shtetëror të 21 janarit, pas padisë së familjarëve të Aleks Nikës nxori si përfundim se shteti ishte vrasësi, duke tejkaluar kompetencat, Sali Berisha prishi provat shkresore e filmike, mori nën sqetull të dyshuarit si ekzekutorë dhe sulmoi e pengoi me sa mundi hetimin e prokurorëve. De facto para nesh u shfaq një ngjarje e hetuar në mënyrë hipokrite dhe duke fshehur fajësinë e autorëve kryesorë, një tragjedi e shkaktuar me dorën e shtetit, e cila është tentuar rregullisht të kamuflohet nga vetë shteti. SPAK ka ecur me ritme shumë të shpejta për të hetuar këtë dosje dhe brenda një muaji kemi parë me dhjetëra persona që janë thirrur në Prokurorinë e Posaçme. Tashmë SPAK po plotëson faktet, provat dhe dëshmitë që shumë shpejt mund ta rikthejnë Berishën sërish në “arrest shtëpie”.
Rama i jep vulën Berishës
Nga ana tjetër, Rama me dyshen Berisha-Meta, kishin si qëllim denigrimin e PD për të goditur Lulzim Bashën. Në tentativat për të nxjerrë jashtë loje Bashën u fut dhe kryeministri Rama duke ndihmuar Berishën sa herë kur ky i fundit kishte nevojë. Këtë gjë e nxori zbuluar skandali i korruptimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, ku është përfshirë dhe pala shqiptare. Hapja e kësaj dosjeje ka krijuar një perceptim tjetër në Tiranë për Lulzim Bashën. Deri dje ish-kryetari i Partisë Demokratike akuzohej se kishte marrë fonde nga një oligark rus, por në dritën e skandalit të ri të ish-zyrtarit të FBI, del se gjithçka ishte kurdisur nga qeveria shqiptare për të shkatërruar PD-në e zotit Basha.
Në ndihmë të Ramës ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta. Berisha kërkonte të përdorte si mburojë Partinë Demokratike në luftën e tij personale me amerikanët, por edhe ekzistencën e tij në politikë. Nga ana tjetër, Meta ka ndihmuar Berishën për të rrëzuar Lulzim Bashën në mënyrë që në fund të rrëmbenin opozitën. Ramës i interesonte dalja jashtë loje e Bashës, në mënyrë që të ketë përballë Sali Berishën, aleatin e tij “të fshehtë”. Rama në fund i kaloi vulën dhe logon e Partisë Demokratike Sali Berishës. Pazari mes tyre u arrit sërish dhe në fuqi mbeti vendimi i gjykatës së Shkallës së Parë të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri se vula i takon Sali Berishës.
Mali i Tiranës
Sali Berisha për hallin e të birit, Shkëlzenit, megjithëse thotë se ka nisur revolucion kundër Edi Ramës, në asnjë rast nuk ka akuzuar, madje as përmendur emrin e oligarkëve me të cilën ndan pushtetin kryeministri. Arsyeja është fare e thjeshtë: Berisha, përmes të birit, Shkëlzenit, mbështetet në “revolucionin” e tij nga këto biznese që marrin miliona euro nga tenderat e qeverisë. Mjafton të shohësh faktet dhe kupton lidhjen e fortë që ka Berisha me Ramën, përmes bizneseve që e mbështesin me miliona euro me të cilat ai mban peng Partinë Demokratike dhe blen median për të shkatërruar PD. Faktet tregojnë se fill pas lajmërimit të protestës hapëse të “revolucionit” Rama e ka zgjidhur qesen për Shkëlzen Berishën duke i dhënë prona e tendera bizneseve që financojnë Zenin.
Kulla 64 katëshe te gropa e Hajdin Sejdisë, ku SPAK ka nisur hetimet, është simboli i një afere midis pasardhësve të Hajdinit, që për fat të keq kontrollojnë shtetin në çdo qelizë. Pas kësaj kulle nuk është një person i vetëm. Kjo godinë ka qenë bingo që Saliu dhe Edi Rama ja bënë dhuratë vetvetes për të garantuar një aset ekonomik të ditëve të zeza që po trokasin mbi ta. Brenda kësaj kulle gjigante me vlerë marramendëse janë të përfshirë të gjithë oligarkët të krijuar ndër vite nga dyshja Rama-Berisha.
Amnistia penale
Por këto nuk janë marrëveshjet e tyre të vetme. Rama-Berisha arritën pazar dhe për të liruar të korruptuarit e dënuar nga SPAK. Vetë Prokuroria e Posaçme bëri me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes grupit të Ramës dhe grupit të Berishës më 4 prill në Kuvend. Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.
Listat e hapura dhe pazari për votën e diasporës
Një nga pazaret Rama-Berisha janë dhe listat e hapura. Vendimi i Sali Berishës për të pranuar variantin e Ramës kundër listave të hapura përsëriti marrëveshjen e ngjashme më atë të 2008. Po ashtu Rama dhe Berisha duket se po hapin një tjetër pazar me votën e diasporës, duke u përgatitur për një ndërhyrje të re në Kodin Zgjedhor. Pavarësisht dallimeve të thella mes dy palëve, interesat e përbashkëta për të manipuluar rregullat e zgjedhjeve në favor të pozitave të tyre politike janë një farë aleance e padukshme, e cila po merr formë sërish në Kuvend. Kjo është një manovër që kërkon të modifikojë rregullat e votimit të diasporës, një temë që është përdorur si armë politike dhe përfitim elektoral nga të dyja partitë në mënyrë të përsëritur.
Asgjësimi i SPAK
Sali Berisha i ka shtrirë Edi Ramës dorën për një tjetër pazar që rezulton të jetë më i rëndësishmi në historinë e tyre. Pas gjithë këtyre pakteve, kryeministri dhe kreu i PD duket se tani ka dalë te qëllimi i vërtetë. Për të shpëtuar lëkurën e tyre. Edi Rama krijoi komisionin e famshëm “Xhafaj” me qëllim ndryshimin e ligjeve të reformës dhe organizmin e organeve kushtetuese për t’i kontrolluar . Por planet e tyre do të shkojnë edhe më thellë. Janë hedhur ide se mund të ketë një rishikim total të reformës në drejtësi. Por planet e tyre në fund do të dështojnë, pasi amerikanët e kanë marrë në mbrojtje të Reformës në Drejtësi dhe nuk do të lejojnë askënd që të fusë duart tek SPAK që po sjell në Shqipëri drejtësinë e munguar prej shumë vitesh./sot