Ja si Sali Berisha i kërcënon kundërshtarët kur i dalin kundër, Sami Repishtit dhe Azem Hajdarit i bënte presion se do t’ju hapte dosjet e sigurimit, Ilir Demalia zbulon detaje nga dokumentet që hapin “Kutinë e Pandorës”, dalin spiunë që kanë punuar për UDB-në e Beogradit dhe Asfalinë e Greqisë
Elmas Bogdani
Sali Berisha është një figurë politiko-historike që ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të Shqipërisë për dekada. Por, pas shumë viteve, ai mbetet një personazh i diskutueshëm, me shumë kritika dhe akuza ndaj tij për mënyrën se si ka përdorur pushtetin. Një nga taktikat e tij të njohura ka qenë kërcënimi dhe presioni ndaj kundërshtarëve politikë, duke i detyruar të heshtin ose të tërhiqen nga lufta kundër tij. Sipas dëshmive të analistin të njohur, Ilir Demaliaj dhe dokumenteve të fundit që janë bërë publike nga ai në rrjetet sociale, Berisha ka përdorur një metodë të frikshme: hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit dhe zbardhjen e lidhjeve të dyshimta me shërbimet sekrete të huaja.
Emra të njohur si Sami Repishti dhe Azem Hajdari janë bërë viktima të këtyre kërcënimeve, ku Berisha ka përdorur si armë kërcënimin për të zbuluar detaje të errëta nga e kaluara e tyre. Kujtojmw se Sami Repishti, i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri ndërroi jetë të mërkurën më 27 nëntor 2024, në moshën 99-vjeçare. Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, analisti Ilir Demalia u ndal te kërkesa e bërë nga Sali Berisha në Kuvend, për të mbajtur një minutë heshtje në nder e kujtim të Repishtit. Demalia kujton kohën kur Berisha erdhi në fuqi në vitin 1992, kohë në cilën dërgoi në Misionin e OKB-së në New York nipin e Sami Repishtit.
Sipas Demalisë, në fillim të viteve 1990 deri në 1995, Berisha kishte mbështetjen e Sami Repishtit, por pas zgjedhjeve të vitit 1996 Sami Repishti thotë Demalia, “u hodhën në krahun e socialistëve dhe pro politikës amerikane për të goditur pikërisht Sali Berishën”. Më tej ai shton se Berisha kishte filluar ftohjen me Sami Repishtin më herët, duke i dërguar mesazhe nëpërmjet ambasadorit të Shqipërisë në atë kohë, se ai kishte në disponim dosjen e Sigurimit të Shtetit për Sami Repishtin, “prandaj të mbyllte gojën”. Ndwrkohë, zoti Ilir Demalia zbulon detaje nga dokumentet që hapin “Kutinë e Pandorës”, ku dalin spiunë që kanë punuar për UDB-në e Beogradit dhe Asfalinë e Greqisë.
Ja reagimi i Z. Demalia në “Facebook”
Sami Repishti patriot apo spiun? Sali Berisha kërkoj në Parlament nje min heshtje për Sami Repishtin, ish i burgosur politik në vitet e para të pushtetit komunist dhe më pas i arratisur në ish Jugosllavi i vendosur më vonë në Amerikë. Kur Sali Berisha erdhi në fuqi në vitin 1992, dërgoi në Misionin e OKB-së në New York nipin e Sami Repishtit. Gjithashtu në fillim të viteve 1990 deri në 1995 Berisha kishte mbështetjen e Sami Repishtit ashtu si dhe shumë nga emigracioni antikomunist i Amerikës duke mbështetur komunistin Sali Berisha?!! Pas zgjedhjeve të vitit 1996 kur u pa se Berisha ishte në rënie të lirë për masakrimin e zgjedhjeve dhe nën presionin e amerikanëve duke e izoluar totalisht, Sami Repishti dhe jo vetëm, u hodhën në krahun e socialistëve dhe pro politikës amerikane për të goditur pikërisht Sali Berishën.
Berisha kishte filluar ftohjen me Sami Repishtin më herët, duke i dërguar mesazhe nëpërmjet ambasadorit të Shqipërisë në atë kohë P.K, se Berisha kishte në disponim dosjen e Sigurimit të Shtetit për Sami Repishtin, prandaj të mbyllte gojën. Më herët në mos gaboj vitin e saktë, 1993 apo 1994 gazeta “Zëri Popullit” kishte shkruar një shkrim, “Sami Repishti spiun i Sigurimit të Shtetit. Është fakt, që Sami Repishti, në emigracion nuk ka pasur aktivitet dhe zë politik kundër qeverisë komuniste te Tiranës. Sami Repishti është marrë me çështjen e Kosovës me organizatën “Rinia Kosovare në Mërgim.” Ka shumë të dhëna që pjesëtarë të kësaj organizate ishin vizitorë të rregullt të Ambasadës së Shqipërisë Komuniste në OKB, kur ambasador ishte Abdi Baleta. Po t’i referohemi shkrimeve dhe prononcimeve të Sami Repishtit deri në dhjetorin e 1990, ai nuk ka shkrime apo prononcime kundër regjimit te Tiranës.
Në asnjë nga ngjarjet e vitit 1990 para dhjetorit Sami Repishti nuk është prononcuar edhe pse i është kërkuar kjo. Shqipëria jeton një histori të falsifikuar dhe manipuluar, pikërisht se nuk është ballafaquar me të vërtetën dhe realitetin historik. Moshapja e dosjeve të Sigurimit që në fillim, ku komunisti-demo(n)krat dhe… Sali Berisha doli me devizën, “të gjithë vuajtës të gjithë bashkëfajtorë” ishte rrafshimi i të vërtetës dhe mosndëshkimi i spiunëve dhe shërbëtorëve të regjimit komunist, ku një nga këta ishte vetë Sali Berisha, i cili i përdori si askush dhe kur i dilnin kundra i tundte dosjet ne publik, siç bëri me Tomorr Dostin dhe Azem Hajdari. Dosjet e “Drejtorisë së katërt të kundërzbulimit” duhet të hapeshin edhe për diasporën, ku jo pak kanë firmosur jo vetëm në Sigurimin e Tiranës komuniste, por edhe në UDB-në e Beogradit dhe Asfalinë e Greqisë, ku kaluan stazhin pas arratisjes nga Shqipëria dhe më vonë u hodhën në Gjermani, Belgjikë Zvicër. George Orwell na ka mësuar: “Rruga më efektive për të shkatërruar një popull është t’i ndalosh dhe t’i zhdukësh të kuptuarit e historisë për çfarë ka ndodhur me historinë e tyre.”
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se sh-kryeministri Sali Berisha është kthyer në Kuvend këtë të martë, pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) i hoqi masën arrest në shtëpi, ndërsa kërkoi 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit. Edhe PS dhe PD ranë dakord me propozimin.
Sali Berisha: Një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktuarës barbarinë dhe torturat me çnjerëzore, profesor Sami Repishti. Ishte një ndër më të shquarit shqiptar në diasporë dhe migracionin tonë, fjala dhe penda e tij nuk rreshti kurrë së mbrojturi çështjen kombëtaren dhe interesin kombëtar. Ai një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit shqiptar. Fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit Amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë. Për të gjitha këto ftoj Kuvendin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me 1 minutë heshtje.
Elisa Spiropali: Në nderim të profesorit Sami Repishti, një figurë antikomuniste me vlera të larta mbajmë këtë minutë heshtje në nderim të tij.
Por pas kësaj kërkese, edhe ministri i Shtetit, Taulant Balla ka marrë fjalën, teksa u shpreh se kjo minutë e heshtjes është bërë pak qesharake, pasi edhe Sali Berisha kërkoi më herët 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit, ndërkohë që disa vite më parë e akuzonte si spiun të Sigurimit. “E kam kërkuar edhe në mëngjes fjalën, por nuk m’u dha. Për të shpjeguar diçka që e kemi të shkruar edhe në rregulloren e Kuvendit, pasi kjo historia e minutës së heshtjes është bërë pak qesharake. Pra e kemi shkruar në rregulloren e Kuvendit, dhe kemi thënë se minuta e heshtjes kërkohet nga çdo deputet, por ajo nuk jepet menjëherë. Diskutohet mes kryetares së Kuvendit dhe kryetarit të grupit, për të përcaktuar një kohë të përshtatshme se kur mund të mbahet, në respekt në radhë të parë të atij për të cilin e kërkojmë këtë minutë heshtjeje.
Kështu që në parim, si një prej kolegëve të sallës do isha dakord, por zonja kryetare e Kuvendit do kërkoja që në konsultim me kryetarët e grupeve do kërkoja që në një moment që edhe salla të jetë siç i takon figurës, personalitetit në fjalë dhe të mos bëhen akte qesharake që ndodhën në mëngjes, kur personi që e ka akuzuar tjetrin për spiun (i referohet Berishës), kërkon edhe të mbahet një minutë heshtjeje për të shkretin”. Më pas, Balla ka bërë edhe një postim në Facebook për këtë moment, ku e rithekson atë që tha në Parlament, duke e shoqëruar edhe me fjalimin e mbajtur në sallë. “Respekt për figurën e Arben Tafaj! Respekt për figurën e Sami Repishtit! Por është fyerje dhe e papranueshme kur minuta e heshtjes për atdhetarin dhe antikomunistin Sami Repishti, u kërkua nga një person që vite më parë e akuzonte për spiun të sigurimit”, tha Balla në Kuvend.