Në Shqipëri, një rrjet kompleks lidhjesh mes biznesit dhe politikës ka sjellë përfitime të mëdha për disa individë të lidhur ngushtë me klasa politike, duke ngushtuar hapësirën për konkurrencë të ndershme dhe transparentë. Një nga shembujt më të qartë është Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist, Sadri Abazi, i cili ka mundur të “gllabërojë” miliona euro duke fituar tendera të mëdhenj nga veriu në jug të Shqipërisë.
Në Sarandë, kompania e tij, ALKO IMPEX CONSTRUCTION, ka siguruar një kontratë të dyshimtë për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “5 Dëshmorët”, duke ngritur pikëpyetje për transparencën dhe konkurrencën në tendera. Kjo kompani ka marrë një tender me vlerë 825 milionë lekë, përkundër faktit se ka pasur oferta më të ulëta nga konkurrentët.
Për më tepër, një tjetër rast shqetësues është ai i tenderit të Bashkisë Kavajë, ku kompania e Abazit ka fituar 600 mijë euro për mirëmbajtjen e gjelbërimit të qytetit, me justifikimin e “lumturisë së banorëve”. Pra kjo situatë shpalos një model të paqartë dhe të dyshimtë të përdorimit të fondeve publike, ku lidhjet politike dhe biznesi bashkëpunojnë për të siguruar fitime të mëdha në kurriz të transparencës dhe interesave publike.
Sarandë
Konkretisht një tender i dyshimtë është zhvilluar në Sarandë, ku kompania ALKO IMPEX CONSTRUCTION, në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi, ka fituar një kontratë me vlerë 825 milionë lekë të vjetra me TVSH. Tenderi i dyshuar është shpallur nga Bashkia Sarandë, me kryetar Oltion Çaçi, dhe ka si objekt rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “5 Dëshmorët”. Sipas të dhënave zyrtare, tenderi kishte një fond limit prej 70,986,938 lekësh të reja pa TVSH, ose gati 850 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Oferta fituese e ALKO IMPEX CONSTRUCTION rezultoi në shumën 68,791,246 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 825 milionë lekë të vjetra me TVSH. Pavarësisht se në garë morën pjesë 7 firma, 3 prej tyre dorëzuan oferta më të ulëta se ajo e fituesit, por gjithsesi kompania e Arbër Abazit arriti të sigurojë kontratën. Proçedura e tenderimit u zhvillua me referencën REF-16425-08-16-2024 dhe u cilësua si e hapur. Kompania fituese ka dorëzuar një ofertë që përbën rreth 96.91% të fondit limit, duke ngritur pyetje rreth transparencës dhe konkurrencës së procesit.
Emisioni “Vetting” ka analizuar procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 dhe ka zbuluar se në shumicën prej tyre nuk ka garë pasi kompanitë janë shkualifikuar ose ka pasur pjesëmarrëse vetëm një kompani. Nëpërmjet të dhënave të përpunuara nga “Open Data Albania”, “Vetting” ka analizuar 40 tenderat më të mëdhenj gjatë kësaj periudhe, ku bie në sy mungesa e garës, e cila ka indicie për korrupsion.
“Vetting” ka evidentuar se nga 40 tendera, 31 ose 77% e tyre janë me “flamur të kuq”, pasi janë shkualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e mbetur në garë. Vlera e totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë. Pra, në 4 vite 650 milionë euro fonde publike u janë akorduar pa garë një grupi kompanish, të cilat gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publik.
Lidhjet e kreut të KPP me kompaninë e nipit të Sadri Abazit, kualifikoi në garë dy firmat me të njëjtin administrator
Emisioni u përqendrua edhe në institucionin e Komisionit të Prokurimeve Publike, që drejtohet nga i shumë akuzuari, Jonaid Myzyri, i cili përtej aspektit me deklarimin e pasurisë dhe CV-së profesionale, ka treguar se edhe në punën e këtij institucioni ka patur mangësira. Shpeshherë Komisioni i Prokurimeve Publike nën drejtimin e Jonaid Myzyrit ka qenë në qendër të akuzave për favorizimin e kompanive private, ku ai ka qenë i punësuar. Sipas deklaratës së hershme në 2016, opozita shqiptare ka akuzuar Myzyrin se ka favorizuar kompanitë “Alko Impex”, ku si administrator shfaqet Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit Sadri Abazi nga Partia Socialiste.
Kjo është njëra nga deklaratat e vitit 2016 kur Myzyri ishte inspektor te KPP-ja. Edhe në 2020 zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka lëshuar të njëjtat akuza për lidhjet me kompanitë “Alko Impex”, por në këtë rast Myzyri ka qenë në pozicionin e drejtuesit të Komisionit të Prokurimeve Publike. Në asnjë rast, Myzyri nuk ka përgënjeshtruar deklaratat duke nënkuptuar se ka qenë i punësuar te kjo kompani. Janë të paktën dy tendera, për të cilët kompanitë kanë bërë ankesa, por çështja ka përfunduar në Gjykatë. Konkretisht në shtator të vitit të kaluar u organizua tenderi për rindërtimin e Spitalit Rajonal të Dibrës, ku u shpall fitues me ofertë 2.9 milionë euro bashkimi i kompanive “Rafin Company” dhe “Udha” shpk.
Në garë mori pjesë edhe kompania “ALKO-IMPEX General Construcion” me administrator Arbër Abazin, i cili bëri ankesë për tenderin, ku në mars 2024 Komisioni i Prokurimit pranoi pjesërisht ankesën, duke urdhëruar Spitalin e Dibrës që të anullojë tenderin dhe ta rishpallë sërish tenderin. Por çështja do të përfundonte në Gjykatën Administrative pasi bashkimi i kompanive fituese do të ankimonte vendimin e Komisionit. Me anë të vendimit nr. 68, datë 22.07.2024 Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, duke e detyruar Spitalin e Dibrës që të vazhdojë me tenderin dhe të lidhte kontratën me kompanitë fituese.
Megjithatë Komisioni i Prokurimit Publik do të prodhonte një rast të paprecedentë pasi nëpërmjet një akti të pazakontë, KPP-ja ka urdhëruar Spitalin që të pezullojë zbatimin e vendimit të Gjykatës. Në fakt, vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për zbatim, por nëpërmjet një shkrese me Gjykatën e Lartë, KPP-ja deklaron se ky rast është i veçantë dhe kjo i jep të drejtën të pezullojë tenderin. Kjo situatë ka vazhduar prej disa muajsh, derisa në skenë ka hyrë edhe përmbarimi. Rasti tjetër që ka përfunduar në Gjykatën e Lartë lidhet me tenderin e Himarës, ku fillimisht në prill 2022 janë shpallur fitues disa kompani dhe është skualifikuar bashkimi i kompanive “ALKO-IMPEX General Construction” dhe Alko Impex”, të dyja me administrator Arbër Abazin.
Në këtë rast, Abazi ka bërë ankesë te Komisioni i Prokurimit Publik, ku Jonaid Myzyri ka kualifikuar të dyja kompanitë “Alko Impex”. Por bashkimi i kompanive fituese “Pastrime Silvio” shpk dhe “ A.E.K & Co” shpk” kanë bërë padi në Gjykatën Administrative, e cila u ka dhënë të drejtë, por ka deklaruar se tashmë kontrata është lidhur me kompanitë “Alko Impex”. Edhe pse kompanitë i kanë bërë kërkesë Bashkisë Himarë se pse nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës që rrëzonte vendimin e KPP-së, përsëri Bashkia Himarë ka lidhur kontratën. Tashmë çështja është në Gjykatën e Lartë në përplasjen midis bashkimit të kompanive “Pastrime Silvio” shpk dhe “A.E.K & Co” shpk” kundra Komisionit Prokurimit Publik, kompanive “Alko Impex”, Bashkisë Himarë dhe Avokaturës së Shtetit.
Bashkia Kavajë i jep nipit të Sadri Abazit 600 mijë euro, që të bëjë qytetarët të lumtur
Familja e Sadri Abazit ka përfituar edhe në vitin 2020 plot 600 mijë euro që të bëjë të lumtur qytetarët e Kavajës. Firma e familjes së tij, Alko Impex Construction, në pronësi të djalit të vëllait të Sadri Abazit, Arbërit, ka fituar një tender të majmë të publikuar nga Bashkia e Kavajës për mirëmbajtjen e gjelbërimit në këtë qytet. Në dokumentet e publikuara detajohen edhe punët e firmës private, e cila do të marrë atributet e Drejtorisë së Pastrim Gjelbërimit në këtë qytet. Por, pavarësisht mirëmbajtjes, interesante janë specifikimet teknike të kësaj procedure prokurimi. Në dokumentet bashkëngjitur këtij tenderi të siguruara nga “Shqip”, Bashkia e Kavajës thotë se “gjelbërimi i qytetit gjithashtu është edhe çështje vizuale”.
Sipas saj, “lumturia e banorëve ndikohet patjetër nga ambienti ku jetojnë dhe punojnë”. Ish-kryetari Redjan Krajli thotë se, nëse kemi një ambient të përshtatshëm dhe komod sigurisht edhe banorët do të jenë më të lumtur. “Përveç faktit se lumturia sjell edhe produktivitet më të madh në fund të fundit lumturia është qëllimi parësor në jetë” thuhen në këto dokumente. Pra, justifikimi i dhënies së këtyre parave nga Bashkia e Kavajës është që të bëjë qytetarët e saj të lumtur. Por, bashkia harron që lumturia e banorëve të saj është ndërtimi i kopshteve, shkollave, qendrave shëndetësore, rrugëve. Madje, edhe të shtëpive që u janë prishur nga tërmeti!
Por, këto para do të shkojnë në xhepat e familjarëve të politikanëve, të cilët dita ditës po pasurohen me ritme të shpejta. Sipas Thesarit të Shtetit, vetëm në kohën e qeverisjes socialiste, firma e familjes së Sadri Abazit, Alko Impex Construksion, ka fituar dhjetëra tendera nga institucionet shtetërore me një shifër që po arrin në 30 milionë euro, kryesisht në biznesin e plehrave. 600 mijë eurot që po merr nga Bashkia e Kavajës, Abazi i ka marrë me justifikimin e mirëmbajtjes së sipërfaqeve të gjelbërta, drurëve dekorativë dhe bordurës së gjelbër. Do të krehë barin 12 herë në vit, do të pastrojë dhe kosisë barin. Ndërkohë, do të prashisë edhe drurët dekoraivë.