I mësuar të hyjë në derën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) disa herë pasi thotë se kallëzon afera korruptive, këtë herë “super investiguesi” i Sali Berishës dha llogari para prokurorisë për mbi 2 orë si person nën hetim. Akuzat në drejtim të tij janë të forta. E para lidhet me falsifikimin e rëndë në 2 raste, për diplomën e gjimnazit që nuk e ka dhe deklarimi i rremë në formularin e vetëdeklarimit sikur e ka diplomën, kur kandidoi për deputet dhe më pas për kryetar bashkie të Tiranës. Kallëzimi penal është bërë nga avokati Idajet Beqiri, lajm të cilin gazeta “SOT” e zbuloi e para kë javë. Për këtë dosje të rëndë, Belind Këlliçi refuzoi dje sqarimin publik pasi doli nga SPAK.
“Sot jam paraqitur në SPAK në lidhje me një kallëzim nga një mashtrues i dënuar me vendim gjykate 1 vit para se të lindja. Kam lindur në 1987 kam dhënë të gjitha sqarimet e mia shterues për shpifjet, vrerin e hedhur ndaj meje se kam rrëzuar një skemë korruptive dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve 5D. Kreu i së cilës doli nga kolegët e SPAK. jam i hapur për çdo pyetje dhe çdo sqarim të mëtejshëm me mua, familjen time që nga dita që kam lindur 25.1.9187 e deri më sot. Jam sqarues. Në raport me ndodhitë e ditës. Për herët të dytë brenda viti kreu i bandës 5D u paraqit në SPAK.
Nëse dikush mendon se duke përdorur persona të diskredituar që nga 1986 do më mbyllë mua gojën e ka gabim. Lërini mënjanë dhe më dilni përballë kushdo që do të më intimidojë. Kushdo që ka diçka në raport me mua të nxjerrë fytyrën ballë për ballë siç e kam nxjerrë unë. Të vërtetën e kam thënë publikisht, e kam sqaruar para mediave, e kanë sqaruar edhe gazetarë që kanë ndjekur çështjen, e kam sqaruar edhe para SPAK. Kjo është çështje që është ezauruar nga mediat, në 2021, në 2023, nuk kam ndërmend të jap sqarime.
Ato sqarime që i kam dhënë më shkrim pranë SPAK. Arsimi dhe edukimi im është një nga krenaritë më të mëdha, jam diplomuar në Coppin University, kam ndjekur germë për germë ligjin amerikan. Jam një nga krenaritë e Harry Fultz. Kam shok klase, kam mësues, nuk jam anonim që s’më njeh askush, mund të shkoni në 8-vjeçare të pyesni. Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria ime më e madhe”, deklaroi Këlliçi pas daljes nga SPAK.
Pasuria
Një tjetër çështje për të cilën dha llogari Këlliçi, burime bëjnë me dije se është ajo e deklarimit të rremë të pasurisë, pasi nuk ka raportuar për pasurinë e bashkëjetueses së tij, Ana Shkreli, vajza e Artan Shkrelit. Për t’i shpëtuar hetimeve të SPAK, Këlliçi u distancua nga gruaja e tij duke thënë se nuk jetojnë së bashku dhe nuk është i vetmi politikan që e bën këtë distancim në dyert e SPAK.
“Jam pyetur për çdo gjë, për partneren time që unë dal në media publikisht dhe them që nuk bashkëjetoj me të dhe nuk jemi bashkë dhe ajo po kujdeset për familjen e saj, për vëllanë e saj”, u shpreh Këlliçi. Sakaq çështjen e tretë për të cilën u pyet për 130 minuta nga hetuesit e posaçëm, Këlliçi e zbuloi vetë dhe që lidhet me kush ia pagoi foton me Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jam pyetur se paskam paguar dhjetëra mijëra euro për të bërë foto me presidentin e SHBA Donald Trump. Ta pyesin vetë Trump, ça të them unë. Unë i kam dhënë deklaratat, kam dalë që në fillim e kam deklaruar që kam pasur zero kosto financiare”, nënvizoi Këlliçi.
Reagon avokat Beqiri
Ndërkohë sa i takon thirrjes në SPAK të zotit Këlliçi, dje ka treguara edhe avokat Idajet Beqiri gjatë një reagimi për gazetës “SOT”. “. Edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë Belind Këlliçi! Në vend që të përballet me akuzat ligjore që i bëhen, në vend që të japi shpjegime pse e inkriminoi veten në tre krime të rënda në Shqipëri dhe në SHBA, përpiqet të intimidoi kallëzuesin e tij me të njëjtat metoda dhe stil shpifarak të shkollës sërbofile që u mëson çdo ditë misionari i Serbisë non-grata Sali Berisha.
Në vend të shpifjeve ordinere kundër meje si kallëzues, t’u thotë shqiptarëve pse babëzia për t’i sunduar ata i ka errur sytë deri në kryerjen e veprave penale të tilla të rënda dhe nga ana tjetër, çfarë morali ka ky edepsëz që nga një anë u merr shqiptarëve një pagë të lartë nga të qënurit të gruas së tij e punësuar në Bashkinë e Tiranës, dhe nga ana tjetër ky bukëshkalur u djeg çdo ditë me “protesta” alla salilçe Bashkinë e Tiranës…!”, deklaroi Beqiri për gazetën “SOT”.
Kujtojmë se në kallëzimin e avokatit Idajet Beqirit, thuhet se Këlliçi nuk ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme në institucionin “Harry Fultz” në Tiranë pra nuk ka diplomë të shkollës së mesme. Këlliçi akuzohet se ka falsifikuar dokumente për të regjistruar studimet universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka bërë deklarime të rreme në formularët zyrtarë gjatë kandidimit për deputet, duke deklaruar se ka përfunduar arsimin e mesëm dhe të lartë.
Investigimi
Në prill 2023 shqiptarja.com publikoi një investigim me 4 pjesë ku sillte të faktuar me dokumente si ish kandidati për kryetar bashkie kishte falsifikuar diplomën e shkollës së mesme, duke manipuluar fillimisht universitetin amerikan “Coppin University” dhe më pas duke mashtruar edhe institucionet shqiptare.
Këlliçi në SPAK
Dosja e Belind Këlliçit po hetohet nga prokurori i Posaçëm, Elvin Gogaj. Prej orës 14:00-16:00, Këlliçi u pyet në SPAK lidhur me kallëzimin penal të Idajet Beqirit. Gënjeshtrat mbi diplomën e shkollës së mesme, duke manipuluar fillimisht universitetin amerikan “Coppin University” dhe më pas duke mashtruar edhe institucionet shqiptare, që i kanë bërë njohjen e diplomës Bachelor si po ishte Master shkencore, ngre pikëpyetje të shumta edhe mbi punësimin e Belind Kelliçit në Shqipëri pas kthimit nga SHBA.