Policia e Tiranës ka ekzekutuar 7 masa sigurie, nga të cilët 4 janë lënë në burg, ndërsa 3 prej tyre në arrest shtëpie. Këta persona akuzohen se kanë marrë penga një 35-vjeçar dhe e kanë kanosur për dhënie pasurie.
Masa “arrest në burg” është ekzekutuar për Tori (Hektor) Xhecuka, Aleksandër Osmani, Artan Pirraci dhe Fredi Keta. Masa “arrest shtëpie” është ekzekutuar për Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “The debt”.
Ekzekutohet masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, për 4 shtetas, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 3 të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacioni policor të koduar “The debt”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: T. Xh., alias H. Xh., 36 vjeç, A. O., 37 vjeç, A. P., 50 vjeç, dhe F. K., 49 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: N. Q., 52 vjeç, S. K., 42 vjeç dhe A. M., 46 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë një 35-vjeçari, dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, parashikuar nga nenet 109/b dhe 110/2 të Kodit Penal.