110162 vizitorë gjatë vitit 2023 në Muzeun e Skënderbeut në Krujë
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës dhe është një vendet që tërheq vizitorët. Në vitin që lamë pas muzeu shënoi rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me vitin 2022. Kjo bëhet me dije nga vetë muzeu, që ka publikuar të dhënat në faqen e tij. Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë gjatë vitit 2023 pati 110,162 vizitorë. “65 për qind më shumë vizitorë se në vitin 2022. Shumica e vizitorëve, turistë të huaj nga Polonia,Spanja,Italia,Gjermania dhe ShBA-ja. Vazhdon dhe tradita e vizitave nga shqiptarët e të gjitha trojeve dhe nxënësve të shkollave. Edhe janari 2024 vazhdon me trend rritës”, shkruan muzeu.
Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Muzeu u ndërtua në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV, etj.