Institucionet ndërkombëtare kanë nisur një “fushatë” mbrojtjeje të institucioneve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK është goditur nga gjithë politika shqiptare, edhe pse të fundit që kanë atakuar institucionin hetimor janë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe i Rithemelimit Sali Berisha. Të dy këta personazhe që kanë “mbretëruar” për vite me radhë në politikën shqiptare po përballen me drejtësinë, e cila këtë herë nuk është më pronë e tyre si dikur, por është e pavarur, ku gjatë viteve të fundit, përfaqësuesit e SHBA kanë marrë pjesë duke montuar të gjitha fazat e krijimit të SPAK, duke ngelur personazhet e korruptuar dhe të maskuar të pushtetarëve të korruptuar. Që në momentin kur Sali Berisha u godit nga SPAK, ka përdorur si skemë për të shpëtuar nga arrestimi mbrojtje politike, duke shthurur fantazinë e tij se arrestimi i tij është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Rruga politike që ka zgjedhur të mbrohet në situatën aktuale është një bumerang, pasi SPAK është i papërmbajtshëm dhe nuk ka fuqi që e ndalon drejtësinë e re për të çuar Sali Berishën drejt prangave, pasi fundi i tij është vulosur në Uashington. Këtë e tregon dhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë. Aty rrëzohen të gjithë intrigat që ka thurur Berisha gjithë këto kohë se po mbahet në izolim me urdhër të Edi Rmës. DASH i jep një përgjigje Sali Berishës edhe për pretendimet e tij se arresti ndaj tij është politik. Dash në raport citon të kundërtën. “Nuk pati raportime për të burgosur apo të paraburgosur politikë”, thekson DASH. Departamenti Amerikan i Shtetit përmend hetimin që po i bën SPAK Berishës për korrupsion pasiv. “Në tetor, SPAK njoftoi se po hetonte zyrtarisht ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv lidhur me një marrëveshje toke nga e cila dhëndri i tij përfitoi rreth 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës, urdhëroi Berishën të paraqitej rregullisht në policinë gjyqësore dhe i ndaloi daljen nga vendi”, thotë DASH.
Ja si SHBA nxori jashtë loje Berishën
Amerikanët do të mbahen mend në këto 30 vite, si e vetmja fuqi që nxori jashtë loje Sali Berishën. Kjo pasi më 19 maj të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli familjarisht “non grata”, ish-kryeministrin. DASH publikoi asokohe në faqen zyrtare vendimin e plotë ku thuhet se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike duke përdorur pushtetin. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se, nëpërmjet këtyre veprimeve, ish-kryeministri ka pasuruar aleatët e tij politikë dhe familjen e tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar. Në vendimin e tij, Blinken ka përcaktuar si të papërshtatshëm edhe bashkëshorten e ish-kryeministrin Liri Berisha, djalin Shkëlzen Berisha dhe vajzën Argita Berisha Malltezi. “Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës. Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, thuhet në vendimin e DASH.