Sa shumë e njohim doktor Skerdin dhe sa pak kur bëhet fjalë për jetën e tij private. Në prag Shën Valentini, i ftuar në “Shije Shtëpie”, ai u pyet nëse është romantik apo jo. Dhe në fakt ai u përgjigj shumë këndshëm duke e cilësuar veten si një romantik hutaq:
“Në fillimet e mia, i mbaja mend datat, ndërsa tani nga angazhimet e shumta, kam filluar t’i harroj. Megjithatë, unë mund të them se jam romantik por hutaq. Kur jam duke kaluar pranë ndonjë dyqani lulesh, i blej lule bashkëshortes apo mamasë dhe ia dërgoj pa ndonjë arsye.”
Po ashtu, ai tregoi se ka 37 vite i martuar dhe se si ka nisur marrëdhënie e tij me bashkëshorten:
“Jemi njohur në bankat e shkollës, në shkollë të mesme. Dhe ime shoqe… unë jam rritur në Ballsh, kam lindur në Tiranë. Në moshën 2-4 vjeçare, prindërit e mi më sollën në Ballsh sepse kanë qenë mësues të dy. Dhe ajo vjen nga një fshat i Fierit, në Topojë quhet fshati, vjen në Ballsh për të studiuar, për të bërë shkollën e mesme tek halla e saj. Ka ardhur dhe me vonesë në shkollë, nuk ka ardhur me datë 1 shtator, por e ka filluar nja dy javë më vonë. Krijoi një farë antipatie ndaj meje, nuk e di se për çfarë arsyeje. Nuk është se na ngjiste muhabeti si shokë klase, që ishim; ishim kalamaj. Pastaj në moshën 16-vjeçare, gradualisht filloi duke i pëlqyer unë. Nuk e harroj, pastaj mësuesët na ndryshuan. Mësuesi kujdestar na ndryshoi bankat, na vuri të dyve në një bankë: në bankë të fundit. Aty u çukulepsëm më tepër, si i thonë asaj punë. Mbaj mend që në moshën 16-vjeçare i kam dhënë të puthurën e parë në faqe. E kupton, si hu. Edhe që aty ka nisur rrugëtimi ynë bashkë, pastaj në shkollë të lartë, ajo vazhdoi për mësuesi në Gjirokastër, kurse unë për Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Ka qenë viti ’89 kur filluam ne shkollën e lartë. Atëherë ishte një tren që vinte nga Tirana në Fier, pastaj nga Fieri në Ballsh një tren tjetër dhe nga Ballshi për në Gjirokastër ishte një autobus. Për të marrë nga Tirana deri në Gjirokastër, ose anasjelltas, ishin nja 10 orë të mira rrugë, a mos më tepër. Edhe takoheshim rrallë me thënë të drejtën, prej largësisë, mundësisë financiare, se atëherë nuk kishte as hotele, as gjëra.”
Në histori mjaft e bukur dhe interesante që doktor Skerdi duhet të na e kishte treguar me kohë për të besuar se dashuria e vërtetë triumfon mbi gjithçka.