Gazeta “SOT” ka siguruar draftin e dërguar nga Partia Socialiste për t’u shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar në Kuvend për faljen e gjobave të ndërtimeve pa leje në zonat rurale në të gjithë Shqipërinë. Në pr/ligj parashikohet dhe falja e gjobave për ata që nuk zbatuan rregullat e vendosura gjatë kohës së pandemisë Covid-19. Drafti u firmos nga 40 deputetë socialistë dhe u bë objekt i një debati të ashpër me opozitën dje në seancë parlamentare ku demokratët akuzuan PS-në se në 12 vite ka vënë gjoba të pafajshmëve.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se drafti do të miratohet brenda dhjetorit. Në Pr/ligj parashikohet që të anulohen të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriatit Qëndror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Përcaktohet dhe se kush përfiton
– Të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.
-Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.
-Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.
-Procedurat e zbatimit të anulimit së masave administrative të papaguara miratohen nga Këshilli i Ministrave me vendim të posaçëm brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij ligji.
Debatet
Por projektligj i sjellë nga Partia Socialiste për t’u shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar në Kuvend për faljen e gjobave të ndërtimeve pa leje në fshat krijoi një debat të ashpër procedural në seancën e djeshme plenare. Njoftimin e dha kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe menjëherë në seancë u krijua debat i ashpër për më shumë se 1 orë e 40 minuta. Opozita akuzoi Spiropalin se po shkelte rregulloren pasi drafti nuk ishte gati dhe firmat po mblidheshin.
Gazment Bardhi: Ligjet nuk vijnë me sms! Nuk është fare. Është vetëm letër e bardhë. Po e çon tani. Po e shkruani ligjin tani. Na sillni një kopje. Ka kaluar një orë nuk ka ardhur akoma. Mashtruat publikisht. Nuk ka pasur as votim për ta futur në rend dite.
Elisa Spiropali: Nuk gënjej. kërkesa është aty me 40 firmat. Sekretaria të çojë nismën dhe nuk do të diskutohet tani.
Gazment Bardhi: Tregoje kërkesën, ku e ke??
Projektligjin e sqaruan ministrat Balla dhe Manja, teksa e cilësuan si një vendim human të qeverisë
Ulsi Manja: Ne si mazhorancë kemi numrat dhe do i anulojmë këto gjoba. Një pjesë është ekzekutuar e një pjesë jo, sepse ishte e pamundur. Do ta bëjmë se kemi numrat dhe kemi mandatin për ta bërë këtë gjë. Parlamenti do ta miratojë brenda dhjetorit.
Taulant Balla: Unë të isha në opozitë do ngrija dy kartonë jo një, se në fund të fundit kjo është diçka që lidhet me qytetarët. Nuk mund të jeni dot kundër kësaj nisme. Kur të njihesh me nismën do të kuptosh që bëhet fjalë për një proces anulimi gjobash që shkon edhe përtej 2014”.
Përveç debatit procedural, edhe pse ende pa projektligj përpara, demokratët akuzuan PS-në se vjen me këtë propozim pasi për 12 vite gjobiti dhe burgosi shqiptarët.
Gazment Bardhi: Është Gjykata Kushtetuese që ju ka thënë që ai ligj që keni miratuar bie ndesh me Kushtetutën e Republikës, boll na sollët dëngla e bëni sikur ju digjet barku për qytetarët. Jeni kapur me presh në duar në xhepat e qytetarëve të varfër. Gjobat për ndërtime për strehim janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Bledion Nallbati: Është Gjykata Kushtetuese që ju ka thënë që ai ligj që keni miratuar bie ndesh me Kushtetutën e Republikës, boll na sollët dëngla e bëni sikur ju digjet barku për qytetarët. Jeni kapur me presh në duar në xhepat e qytetarëve të varfër. Gjobat për ndërtime për strehim janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese
Dashnor Sula dhe Saimir Korreshi dhanë shembuj: Arrestuat të moshuarën për një kotec pulash’. Harruat ju atë që vrau veten.
Sigurisht protagonist bllokimi nuk mungoi edhe Flamur Noka, i cili i shtoi ‘CV-së- së tij edhe sherrin me një përfaqësuese të administratës së Kuvendit.
Elisa Spiropali: Turp të zihesh me administratën.
Në fund, për t’ia lënë seancën së ardhshme, debatin për ligjin që do të falë gjobat për mijëra qytetarë që kanë rregulluar çatinë apo kanë ndërtuar një kotec në fshat e mbylli Taulant Balla. Që ju do të vini si pulat në fund që do ta votoni, edhe kjo do të ndodhë. Ndërkohë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se pr/ligji do të kalojë brenda dhjetorit./sot