Marsela SHYTIA
Një ujk me petk deleje është ndoshta përshkrimi më i saktë i Abu Mohammed al-Jolani, liderit të rebelëve islamikë, i cili në vetëm pak ditë përmbysi me sukses sundimin gjysmë shekullor të dinastisë al-Assad në Siri. Jolani është udhëheqësi i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dega siriane e al-Kaidës famëkeqe; dhe kjo në vetvete nuk tingëllon tepër paqësore. Megjithatë, organizata e tij ende zyrtarisht etiketohet si “terroriste”. “Ai është një radikal pragmatik”, shpjegon për British Guardian Thomas Pierret , një specialist i Islamit politik. “Po, në vitin 2014, kur Shteti Islamik ishte në kulmin e fuqisë së tij, ai ishte vërtet radikal, por që atëherë ai e ka modernizuar ndjeshëm retorikën e tij dhe është gati për kompromise, si dhe për një bisedë me liderët botërorë”, shton ai.
Kush është Al-Jolani?
I lindur në vitin 1982 në një familje të pasur në Damask, ai kaloi shtatë vitet e para të jetës së tij në Arabinë Saudite, ku babai i tij punoi si inxhinier në një kompani nafte. Xhihadizmi si i tillë filloi ta tërheqë atë pas intifadës së dytë në vitin 2000, sepse ai donte t’i bashkohej një lëvizjeje brenda së cilës mund të luftonte për mirëqenien e “popullit të tij të shtypur”. Familja e Jolanit, përkatësisht, e ka origjinën nga lartësitë e Golanit. “Pas 11 shtatorit, ai u bashkua fshehurazi në panel diskutime të errëta xhihadiste në periferi të Damaskut”, thuhet në biografinë e tij në internet, duke vënë në dukje se edhe pas pushtimit amerikan të Irakut ai vendosi të bashkohej vullnetarisht në luftë. Ai kaloi pesë vjet të jetës së tij në robërinë irakiane, pas së cilës në pranverën e vitit 2011, ai iu bashkua rezistencës kundër Asadit në Siri, si pjesë e famëkeqit al-Nusra.
Lidhja me Al-Kaedën
Është interesante se në vitin 2013 ai refuzoi të bashkohej me Abu Bakr al-Baghdadi, liderin e Shtetit Islamik të vetëshpallur, por vazhdoi të luftonte brenda ISIS-it në anën e Al-Kaedës më “të moderuar”. Të njohurit pohojnë se qysh në maj të vitit 2015, ai deklaroi se ajo që e shqetëson më shumë nga Shteti Islamik është obsesioni i tyre me luftën me Perëndimin “që ua zbraz energjinë në mënyrë të panevojshme”. Pak kohë më vonë, ai u distancua nga Al-Kaida, të cilën eksperti i lartpërmendur Pierret e interpreton si përpjekje të Jolanit për të paraqitur një ditë veten si një burrë shteti i besueshëm. “Jolani dëshiron t’i imponohet komunitetit global si një aktor që pastron kaosin me të keqen më të vogël të opsioneve të ofruara, sepse ai beson se kjo është mënyra më e lehtë për të arritur qëllimet e tij afatgjata në Siri. A është ai i sinqertë? Sigurisht që jo. Megjithatë, taktikat e tij kanë një logjikë të caktuar”, shpjegon Pierret, duke theksuar se Jolani dhe anëtarët e tij të HTS kanë përsëritur pa u lodhur ditët e fundit, që nga fillimi i kësaj ofensive të çuditshme efektive, se pakicat në Siri nuk kanë arsye të shqetësohen sepse nuk do të hakmerret.
Skenari i rrezikshëm
Gjithçka ndryshoi brenda një nate dhe tani që regjimi sirian ka rënë , si fantazma e të kaluarës së Krishtlindjes, rikthehet në sipërfaqe fantazma e një makthi që nuk është kapërcyer kurrë : ai i përdorimit të mundshëm të armëve kimike në vendin e torturuar nga një lufta civile që filloi në vitin 2011. Agjencitë e inteligjencës amerikane dhe izraelite në fakt po ndjekin me kujdes evolucionin e ngjarjeve në Damask për të kapur sinjale që mund të çojnë në një epilog edhe më dramatik të krizës së vazhdueshme në Siri. Shtetet e Bashkuara dhe disa organizata humanitare kanë konfirmuar përdorimin e këtyre llojeve të armëve nga ushtria e Asadit në të kaluarën kundër popullatës së tij dhe kryengritësve. Nuk është vetëm Amerika ajo që ka një sy në arsenalin e Asadit. Ditët e fundit, gazetat izraelite kanë zbuluar sesi inteligjenca e shtetit hebre po e merr seriozisht mundësinë që rebelët islamikë të kenë në dorë armët kimike në Damask. IDF ka goditur tashmë një fabrikë të prodhimit të armëve në territorin sirian dhe ka pozicionuar forcat në kufirin me vendin./sot