Vendimi për të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Fierit do të merret në datën 19 dhjetor në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Mes të pandehurve është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, vartësi i tij Alqi Bllako dhe 10 të akuzuar të tjerë. Çështja në Apel u hap me kërkesë të palëve që kërkuan edhe marrjen e disa dëshmive dhe provave të reja. SPAK kërkoi prishjen e vendimit të shkallës së parë, në lidhje me pafajësitë që janë dhënë për Arben Dervishajn, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra, si edhe për Alqi Ballkon, i cili u shpall i pafajshëm për shpërdorim detyre. Kujtojmë se Shkalla e Parë dënoi Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Klodian Zoton dhe 12 të pandehurit e tjerë për këtë aferë.
Ish-ministri i Mjedisit u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, Klodian Zoto me 8 vite, ndërkohë ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit Alqi Bllako me 2 vite e 8 muaj burg, si pasojë e ndryshimit të akuzës. Për të SPAK kishte kërkuar 7 vjet burg, por Bllako mori pafajësi për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”, dhe vepra penale iu rikualifikua në “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”. Në muajin Tetor, Apeli i GJKKO vendosi të pranojë kërkesën e SPAK, për përsëritjen edhe njëherë të shqyrtimit gjyqësor në lidhje me të pandehurit e akuzuar për inceneratorin e Fierit. Pas kërkesës së prokurorit Dritan Prençi, gjykata vendosi të thërrasë 8 dëshmitarë për t’u marrë në pyetje, mes tyre edhe të pandehurën Arjola Kodrën. Gjykata e Posaçme i kishte shpallur vendimet më 25 Shtator 2023, ku Bllako mori pafajësi për një nga dy akuzat dhe për të cilën SPAK po kërkon dënimin në Apel.
Inceneratori i Elbasanit
Koka, Bllako dhe të tjerët janë dënuar edhe për shkeljet e kryera edhe në çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ish-ministri është dënuar në Apel me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6 vite e 8 muaj burg. Alqi Bllako u dënua për ‘shpërdorim detyre’ me 4 vite burg, nga të cilat me gjykim të shkurtuar do të kryejë 2 vite e 8 muaj. Ndërkohë Klodian Zoto u dënua në mungesë me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burgim. I njëjti dënim në mungesë u dha edhe për Mirel Mërtirin. Stela Gugallja, e arrestuar pak kohë më parë në Vjenë, u dënua me 7 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 4.8 vite. Pellumb Abeshi dhe Jonida Zeqo u dënuan me 4 vite heqje lirie dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajnë 2.8 vite heqje lirie. Bardhyl Çabiri u dënua me 2 vjet dhe Serafin Papa 1.4 burg. Po ashtu Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e disa pasurive të sekuestruara të personave të sipër-përmendur të dënuar.
Inceneratori i Tiranës
Sa i përket çështjes së inceneratorit të Tiranës, SPAK ka dërguar për gjykim ish-deputetin socialist Alqi Bllako, të akuzuar për veprën penale korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor, dy herë. Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se Aldi Bllako ka përfituar rreth 120 mijë euro duke lëshuar fatura fiktive nga kompania e babait të tij në drejtim të kompanisë që ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Sipas SPAK, gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të Klodian Zoto, për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pa kërkuar. Kujtomë se Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar ankimin e bërë për heqjen e masës së sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Përmes një vendimi të marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, Kushtetuesja ka vlerësuar të mos kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, duke i lënë kështu në fuqi vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit për masën e sekuestros ndaj shoqërisë “INTEGRATED ENERGY BV SPV” SH.P.K. dhe të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme të saj.