Hetimi i skandalit për eksportin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë Kurum drejt Tajlandës, që u kthyen pas në Shqipëri po mbahet peng dhe prej javësh nuk po kryhen asnjë veprim. Në krye të herës, prokuroria pati një zell të hetimit të rastit dhe thirri në pyetje që nga administratoren e kompanisë Sokolaj shpk, Gjovana Sokolaj, administratorët e kompanisë Kurum, zyrtarëve të portit të Durrësit, doganave, të kompanisë koncesionare e deri tek zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit e Ministrisë.
Ndërsa ngarkesa ishte rrugës së kthimit për në Shqipëri, pasi Tajlanda nuk i pranoi mbetjet e dyshuara të rrezikshme, prokuroria thuajse e kishte përfunduar hetimin. Por, teksa ngarkesa pritej të ankorohej në Port, në çështje hyri dhe drejtuesja e prokurorisë, me arsyetimin se është rast hetimor kompleks dhe kërkon grup hetimor. Por pavarësisht përforcimit të grupit hetimor, gjithçka ka mbetur në vend numëro. Çështja që duhet të kishte ngritur në këmbë autoritetet dhe mbi të të ishte hedhur dritë e përgjegjësit të kishin përfunduar prapa hekurave, në fakt është harruar në sirtar.
Prapaskenat
Por një nga aspektet më shqetësuese të këtij hetimi është lidhja e drejtpërdrejtë e disa emrave të njohur të politikës, sikundër janë tre ministra të qeverisë “Rama”, si ajo e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro; ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, të cilët dysohet se janë përfshirë në këtë aferë dhe kanë përgjegjësi në skandal. Ky fakt bën që çështja të duket më komplekse dhe me lidhje të thella në nivele të larta të administratës shtetërore.
Interesat e fshehura, që dyshohet se lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, duket se janë të forta dhe po pengojnë çdo përpjekje për drejtësi. Pavarësisht zgjerimit të grupit hetimor, asnjë hap i dukshëm drejt zbardhjes së ngjarjes nuk është bërë. Ndonëse ngarkesa që mbante mbetje të dyshuara ishte kthyer dhe pritej të ankorohej në port, hetimi u ndal dhe çështja mori rrugë të paqartë. Pyetja që ngrihet është: Pse nuk po vepron prokuroria dhe kush ka interes që ky skandal të mbetet pa zgjidhje? A është ndikimi politik i forcave të mëdha një pengesë për një hetim të plotë dhe të drejtë? Mbetjet e rrezikshme, të cilat janë të depozituara për momentin në Porto Romano, kanë krijuar një situatë të pasigurt dhe të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin publik. Disa pyetje mbeten pa përgjigje: Përse nuk janë kryer arrestime për ata që kanë shkaktuar këtë skandal?
Kush janë ata që po e ndihmojnë këtë çështje të kalojë pa u hetuar siç duhet? A është ky një tjetër rast ku drejtësia dhe ligji janë të paaftë për të trajtuar korrupsionin në nivelet e larta të shtetit? Ky hetim ka potencialin të pasqyrojë dobësitë e sistemit tonë të drejtësisë, ku interesa të caktuara mund të mbulojnë shkeljet dhe të fshihen pas politikës. Prokuroria duhet të ketë guximin të përballet me këtë çështje dhe të zbardhë të vërtetën, pavarësisht pengesave. Pa një veprim të shpejtë dhe të fuqishëm, ky skandal mund të mbyllet përfundimisht, duke dëshmuar se në Shqipëri, korrupsioni është më i fuqishëm se drejtësia.