Konfirmohen diversantët e Belinda Ballukut në grupin e Sali Berishës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi sulmojnë Agron Shehajn pas akuzave për ministren dhe Bashkim Ulajn, opozita apendiks i luftës së klaneve brenda PS
Në politikën shqiptare, e vërteta shpesh mbytet nga heshtja dhe intriga, por ngjarjet e djeshme në Kuvend kanë zbuluar një realitet tronditës, teksa opozita është shndërruar në apendiks i luftës së klaneve brenda dhe jashtë Partisë Socialiste. Në qendër të këtij konflikti të ndërlikuar qëndrojnë emra të njohur si Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Shehaj, Belinda Balluku dhe oligarku Bashkim Ulaj, ndërsa përplasjet mes deputetëve të Partisë Demokratike po zbehin çdo shpresë për një opozitë të bashkuar dhe të qëndrueshme. Shkëndija e parë e krizës shpërtheu dje, kur deputeti i pavarur Agron Shehaj, bllokoi foltoren e Kuvendit për katër orë.
Kërkesa e tij për një interpelancë me zëvendëskryeministren Belinda Balluku mbi koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar u refuzua jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga vetë opozita. Kjo rrugë, e ndërtuar nga kompania ‘Gener 2’ e biznesmenit Bashkim Ulajt, një nga mbështetësit më të fuqishëm financiarë të familjes Berisha, ka shkaktuar debate të forta për tarifat e larta dhe garancitë që qeveria i ka dhënë privatit. Deputetët e Sali Berishës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, në vend që të mbështesin zotin Shehaj në ngritjen e çështjes, u rreshtuan hapur kundër tij dhe duke dalë kështu në mbrojtje të zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila ishte ndër të parat që mbështeti këtë kontratë. Kjo lëvizje, që për shumë u pa si mbrojtje ndaj Bashkim Ulajt, tregoi edhe një herë se interesat e mëdha financiare janë ato që drejtojnë fijet e politikës shqiptare.
Intrigat dhe dhuna në Kuvend
Por protesta e Shehajt nxori në pah një krizë të thellë brenda opozitës. Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, dy figura të njohura të Partisë Demokratike, u kthyen në protagonistët e një skandali të paprecedentë. Noka e shtyu Shehajn nga foltorja, duke tentuar t’i merrte telefonin, ndërsa Bardhi e akuzoi hapur si “zhele e Erjon Veliajt”. Ndërkohë në sfond dëgjoheshin socialistët që përqeshnin këtë shfaqje kaotike, duke përfituar nga përçarja e opozitës. Në një moment dramatik, Xhelal Mziu, një tjetër deputet i PD-së, e sulmoi Shehajn duke e njomur me ujë, ndërsa garda e Kuvendit ndërhyri për ta larguar. Në përgjigje, Shehaj deklaroi: “Atë që nuk e bëri mazhoranca, e bëri një përfaqësues i opozitës.” Kjo frazë sintetizon realitetin tragjik të politikës shqiptare, ku interesat personale dhe klanore kanë shkatërruar çdo nocion të solidaritetit politik.
Një opozitë në shërbim të mazhorancës
Ndërkaq kjo ngjarje nxjerr në pah një skemë më të thellë intrigash dhe manipulimesh politike. Sipas akuzave të ngritura nga Shehaj, mbrojtja që Balluku dhe kontrata e saj për autostradën kanë marrë nga deputetët e PD-së është një akt i pastër aleance të heshtur mes klaneve të Berishës dhe Ramës. Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, të dy të afërt me interesat e familjes Berisha, duket se janë bërë instrumente të kësaj loje, duke penguar çdo përpjekje për transparencë dhe llogaridhënie. Nga ana tjetër, socialistët, të përçarë mes grupit të Erjon Veliajt dhe atij të Belinda Ballukut, shfrytëzojnë përçarjen e opozitës për të forcuar pozitat e tyre. Ndërkohë që Balluku vazhdon të shmangë çdo përgjigje publike për kontratën 1.3 miliardë euro të autostradës Thumanë-Kashar, Veliaj dhe njerëzit e tij akuzohen se po nxisin opozitën të sulmojë Ballukun, duke e përdorur si pjesë të një lufte më të madhe për dominimin e PS-së.
Kush humbet?
Por në mes të kësaj lufte të brendshme, është populli shqiptar, ai që paguan çmimin e këtyre intrigave politike dhe ekonomike. Nga janari, tarifat për autostradën do të rëndojnë mbi xhepat e qytetarëve, ndërsa kompanisë “Gener 2” i është garantuar një përfitim marramendës prej 1.3 miliardë euro. Për më tepër, nëse të ardhurat nuk plotësojnë pritshmëritë, shteti ka vendosur një garanci prej 22.8 milionë euro, duke rrezikuar financat publike për interesat e një grupi të vogël oligarkësh. Sakaq, ngjarjet në Kuvend tregojnë më qartë se kurrë se politika shqiptare është një fushëbetejë ku luftojnë klanet, ndërsa qytetarët shërbejnë vetëm si spektatorë të pafuqishëm. Opozita, në vend që të jetë një zë i fuqishëm kundër abuzimeve të mazhorancës, është kthyer në një apendiks të saj, duke humbur çdo kredibilitet dhe rol të vërtetë politik. Në këtë klimë, e vetmja gjë e sigurt është se Shqipëria mbetet peng i intrigave, korrupsionit dhe përçarjeve politike.