Adriatik BALLA
Reali i Madridit nuk është vetëm klubi më i trofeshëm në historinë e futbollit, por njëherësh një qendër e madhe e lakmuar nga yjet, pra nga futbollistët më të mirë në botë. Theksojmë se Reali fitoi trofeun e fundit të madh vetëm dy ditë më parë, ndërkohë që një tjetër personazh i klubit ka hyrë në histori me sukseset e tij. Bëhet fjalë për trajnerin Karlo Ançeloti, i cili, falë përvojës së tij, futbollit modern që aplikon dhe natyrisht rolit të tij si lider në skuadrat që ka drejtuar, ia ka dalë mbanë të krijojë profilin e një trajneri të dashur e të suksesshëm dhe nuk është rastësi ky sukses edhe me Realin e Madridit. Tekniku italian këtë herë fitoi dhe shtoi më tej trofetë në sukseset e tij të gjata e të shumta dhe kur ky sukses vjen si trajner i Realit të Madridit ia shton edhe më shumë vlerat. Me pak fjalë, Ançeloti është tani trajner i pathyeshëm, teknik me mentalitet fituesi dhe padyshim trajneri që në historinë e futbollit futet në top-10 më të mirët. Ndërkohë, Karlo Ançeloti u bë mbrëmë trajneri më i trofeshëm në histori të Realit të Madridit. Pas fitores ndaj ekipit Paçuka, trajneri italian foli në konferencë për shtyp.
“Jam mjaft i lumtur. Është një sukses. E nisëm jo fort mirë, por pak nga pak e morëm kontrollin. Ishte e qartë se e kishim një diferencë të kualitetit, por na duhej ta shfaqnim forcën tonë pak nga pak, mendoj se e merituam fitoren. Në fund më pëlqeu sjellja dhe qëndrimi i lojtarëve, i gjetëm pasime e duhura mes linjave”, deklaroi fillimisht “Don Carlo”. Nga 15 trofetë e fituar, cili prej tyre ishte më speciali për Ançelotin? “Jo, nuk mund të zgjidhja. Është e vështirë të thuhet, por ‘La Décima ishte speciale për mua dhe për Realin. Edhe fitorja e trofeut të Championsit në Paris. Nëse do të më duhej të zgjidhja, janë këta të dy”, shtoi ai.
Ançeloti di më së miri se si të fitojë tituj me Real Madridin. Edhe për këtë punë italiani ka sqarime. “Më duhet të jem i sinqertë, të fitosh trofe me Real Madridin është më e lehtë se diku tjetër: është një klub fantastik, me tifozeri solide dhe një skuadër me lojtarët më të mirë në botë”, nënvizoi ai. Por, çka kujton ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Çelsit, Paris San Zhermenit, Bajern Munihut, Napolit e Evertonit nga rikthimi i tij në Madrid, ku po e kalon eksperiencën e dytë si trajner i Realit? “Pak ditë para se të ndodhte nuk do ta mendoja kurrë se do të rikthehesha. E bëra atë thirrje vetëm për ta parë nëse do të mund ta transferoja ndonjë lojtar nga Reali. E bëra ashtu dhe ata ranë në kurth”, përfundoi Ançeloti duke buzëqeshur.