Rrjetet sociale po kthehen në një shqetësim alarmant në Shqipëri, pasi përdoruesit e tyre shpesh krijojnë konflikte me njëri-tjetrin që jo në pak raste kanë përfunduar dhe me pasoja fatale.
Një ndër rrjetet sociale më me popullaritet është ‘Tik-Tok’, i cili u ka dhënë mundësi të gjithë personave që të krijojnë përmbajtje dhe të ekspozohen në publik. Në këtë platformë zhvillohen dhe lojëra “Live” nëpërmjet të cilave personazhet kanë fituar shuma të mëdha parash kundrejt një dënimi, që jo në pak raste lojtarëve u ka kushtuar dhe jetën.
Përveç kësaj, e rëndë është ta themi se tashmë Tik-Tok regjistroi viktimën e tij të tretë në vendin tonë në më pak se një vit!
Sibora Abedini
10 Shkurt 2024, 27-vjeçarja Sibora Abedini me banim në Kamëz i dha fund jetës duke u hedhur nga taraca e pallatit ku kishte banesën me qira. Shkak për këtë ngjarje deri më tani dyshohet të jetë bërë Altin Çoku 39-vjeç, personazh i njohur në Tik-Tok.
Ky shtetas ka pasur një lidhje me të ndjerën, dhe teksa kanë qenë në hotel ka shkrepur disa fotografi. Këto foto intime janë publikuar në rrjetet sociale, duke hapur shumë adresa fallco me to. Këtë të hënë Çoku u arrestua i akuzuar për veprën penale “Shkaktimit të vetëvrasjes”.
E gjithë kjo ngjarje mendohet të ketë shtyrë 27-vjeçaren drejt vetëvrasjes. Ajo ishte nënë e një vajze dy-vjeçare.
Bedrie Loka
41-vjeçarja nga Durrësi i dha fund jetës duke pirë fostoksinë në datën 2 Janar 2024 në banesën e saj në fshatin Vardardhë të Sukthit. Bedria ndërroi jetë disa orë më pas në spitalin Nënë Tereza në Tiranë.
Shkak i kësaj ngjarje ishte përsëri Tik-Tok! Pak kohë para se të ndërmerte veprimin ekstrem, 41-vjeçarja kishte bërë një denoncim në Polici. Ajo pretendonte se persona të panjohur i kishin hapur një adresë që denigronte emrin e saj në Tik-Tok, por policia nuk kishte ndërhyrë duke mos marrë asnjë masë.
E gjetur në këto kushte, e ndjera ndërmori veprimin ekstrem.
Fatjon Bici
16-vjeçari Fatjon Bici humbi jetën në 16 Maj 2023 në një shkollë të mesme në Gramsh. Ai po dilte nga mësimi kur pa kushëririn e tij një vit më të vogël Marko Bici, që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë. Ai ndërhyri për të ndarë të rinjtë, por humbi jetën pasi u godit me një thikë në zemër ndërsa kushëriri i tij u plagos.
4 të mitur u arrestuan nga policia për këtë ngjarje dhe u lanë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve. Nga dëshmitë që kanë dhënë të përfshirët në ngjarje, sherri kishte nisur dy muaj më parë dhe kishte vazhdurar më pas në rrjetet sociale.
Të gjitha këto raste janë një këmbanë alarmi për marrjen e masave të menjëhershme, që në të ardhmen të mos regjistrohen më të tilla ngjarje.