Edhe pse është një nga investimet më të fundit infrastrukturore të ministrisë së Belinda Ballukut dhe qeverisë Rama, rruga e Arbrit vazhdimisht ka shfaqur probleme në qarkullimin e automjeteve.
Së fundmi problem është bërë balta që ka pushtuar rrugën, e cila në pamje mund të krahasohet me derdhjen e llavës së një vullkani. Në fshatin Shkallë të Xibrit, qarkullimi i automjeteve është i vështirë prej disa orësh pasi balta vijon të bjerë në asfalt.
E gjithë situata është shkaktuar nga ujërat nëntokësorë që qarkullojnë në shpatin bri rrugës dhe shirat e orëve të fundit që sjellin baltën poshtë. Mungesa e kanalizimeve dhe mund të ketë sjellë në këtë situatë. Asfalti i byppasi i Murrizit edhe pse është inaguruar së fundmi, është plot me gropa çka vështirëson lëvizjen e automjeteve nga Tirana drejt Dibrës, dhe e kundërta.
Rruga e Arbrit është inaguruar disa herë gjatë këtyre viteve, dhe shumë premtime janë dhënë për përfundimin e punimeve. Por afatet e tyre gjithmonë janë shkelur, pasi jo çdo pjesë e rrugës është e aksesueshme nga qytetarët. Tuneli i Murrizit është inaguruar së fundmi, por ende nuk është gati për qarkullimin e automjeteve.