Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka përsëritur qëndrimin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se rruga e Prishtinës dhe Beogradit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kalon përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.Derisa ka shpërndarë postimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, pas takimeve me krerët e Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel, ambasadori gjerman ka shkruar: “Pikërisht. Ashtu sikurse ka thënë kancelari Scholz në vitin 2022. Vetëm ata kandidatë që njohin njëri-tjetrin mund të marrin anëtarësimin në BE”.
Kryediplomatja e BE-së takoi për herë të parë në këtë detyrë kryeministrin kosovar, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke thënë se rruga e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve në bazë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar. Kosova dhe Serbia kanë arritur një “marrëveshje historike” në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, kjo marrëveshje nuk është zbatuar akoma, dhe ka mbetur në hije për shkak të tensioneve. Në marrëveshjen e arritur midis liderëve të Kosovës e Serbisë në fillim të vitit 2023, megjithëse nuk përmendet njohja reciproke, kërkohet që Serbia t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe t’ia respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin.