Në sfidën e rrëfimeve personale që ‘Vëllai i Madh’ u caktoi banorëve, Jul Deda rrëfeu për krijimin e Portokallisë dhe të grupit “The SHBLSH” dhe tregoi se fillimisht, ka qenë ai, Ermal Mamaqi dhe Erand Sojli pjesë e treshes së famshme dhe më pas, u është bashkuar edhe aktori Gent Bejko.
Megjithatë, përmes një postimi në rrjetet sociale, vetë Genti thotë se është i zhgënjyer me Julin dhe se do të donte që e vërteta të transmetohej siç duhet.
“Përshëndetje të gjithëve, sidomos ti Jul Deda! Uroj që ta fitosh çmimin e madh sepse e di që të gjitha ato para do të shkojnë për familjen tënde. Sa i përket diçkaje që ti ke përmendur, për të vërtetën e “Portokallisë”: Në atë kohë që flitet, në shtator 2003-shit, unë kam qenë duke vënë në skenë shfaqjen time time të parë në “Togeri i Inishmorit”. Bashkë me ata djem që kisha pjesë të stafit dhe shokë të tjerë, diskutuam pse mos të bëjmë një spektakël si spektalet e njohura në Itali. E kemi diskutuar te rrapi i vjetër, në një minibar. Aty bëheshin planet dhe thureshin ëndrrat. “Arritën Kokëshpullat”, që ka qenë një platformë që ka qenë shumë më e pasur se sa “Portokallia”, sepse futeshin edhe elemente skenike. Këtë platformë e kemi çuar përmes Anxhela Çikopanos tek i ndjeri Dritan Hoxha. Në mbledhjen e bërë që ti nuk ke qenë prezent, diskutohej për këtë projektin”, shprehet Genti, duke përmendur edhe njerëzit që jetojnë dhe “kanë memorie të fortë”.
Më tej, ai vijon:
“Pagëzimin ia kam bërë unë “Arritën Kokëshpullat” sepse ka qenë një film “Arritën Titanët”. Është folur për një treshe, por kjo nuk ka lidhje me “SHBLSH”, sepse unë mbaj çdo detaj të punëve të mia dhe projekti është i shkruar me shkrim dore nga ana ime, ti thjesht je përmendur në listën e aktorëve. Në atë mbledhje nuk është përmendur ndonjë batutë “dua këtë dhe e dua dje”, kjo është një batutë që Tan Hoxha e ka thënë në “Portokalli”, në mbledhjet që bëheshin shumë më vonë. Ne e dinim shumë mirë se çfarë formati donte Tani”, tha ai, referuar të ndjerit Dritan Hoxha, duke përgënjeshtuar edhe detaje të tjera nga rrëfimi i Julit.
“Në ato mbledhje kanë qenë një pjesë e çunave, por nuk ke qenë ti. Nuk është se mblodhi regjisori 3 veta. Altin Basha më kërkoi mendim dhe ia dhashë unë. Unë zgjodha midis elementeve Gentin edhe Ermalin. Kur u largua Ermali, unë kam ardhur në Butrint ku ti bëje shfaqje. Kam ardhur dhe të kam takuar aty për një arsye shumë të thjeshtë, sepse para teje është propozuar Ledio Lako. Kur u propozua emri yt, Altini më tha: “Çne që e propozon se unë e di që ti nuk flet me këtë djalë’ dhe i them që nuk është e vërtetë. Kam ardhur në Butrint. Batuta ime e parë me ty ka qenë: “Urime, kam dëgjuar që ne nuk flasim bashkë’. Kujtimet mbeten kujtime, por nuk është mirë që të shtrembërojnë të vërtetën. Diku refuzohet, diku mohohet. Ti e di shumë mirë që nuk para prekem nga fjalët por nuk më vjen mirë kur trajtohet emri im si ‘ishte dhe ky’. Nuk ka ishte dhe ky. Ndoshta të tjerët që përmend ishin dhe ata. Por unë nuk jam ishte dhe ai, jo, unë jam ai që ishte. Dhe që mblodhi shumë njerëz rreth vetes”, saktësoi aktori i humorit.
“Ndonjëherë më mirë tregoji të vërtetat siç janë ose mos i trego fare. Kjo nuk dua të të ulë pikë, përkundrazi sepse je çun me vlera dhe shumë i talentuar, prandaj kemi punuar bashkë edhe jashtë “Portokollisë”. Edhe në momente kur askush nuk do të donte që të punonte me ty pasi kishin frikë nga hija e vetë, e jo më e të tjerëve. Por unë nuk e njoh frikën. Kështu që të uroj suksese. Qëndro drejt edhe fitofsh!”– përfundoi Gent Bejko.