Ja pse u zbyth gazetari italian i “RAI 3”, nga frika e gjyqit për shpifje, dënim me burg, deri te gjobat e rënda, emisioni “Report” u bazua në akuza digjitale të Sali Berishës
Autori i programit investigativ Report në RAI3, Sigfrido Ranucci, lajmëronte pothuajse çdo ditë se pjesa e dytë e reportazhit që do të zbardhte korrupsionin për Shqipërinë do të transmetohej të dielën që lamë pas. Madje, 4 orë para se emisioni të startonte, Ranucci tha se në orën 20:55 RAI3 do të transmetonte pjesën tjetër të hetimeve sa i përket protokollit të emigrantëve mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. “Hetimet për protokollin e emigrantëve mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, që parashikon koston e ndërtimit të dy qendrave dhe menaxhimin afër një miliard, do të vazhdojnë. Ky është në interes të popullit italian, por edhe atij shqiptar. Report, transmetohet çdo të diel në Rai3 në orën 20:55”, shkruante Ranucci. Kjo e pjesë e dytë për Shqipërinë jo vetëm që nuk u transmetua ashtu si dhe u lajmërua, por nga ana e gazetarëve dhe drejtorëve të programit nuk erdhi as një shpjegim publik. Informalisht, Ranucci në disa komente me ndjekësit në “Facebook”, justifikohet se emisioni anuloi pjesën e dytë të hetimit pasi po negociojnë për të marrë një intervistë me kryeministrin Edi Rama. Ky justifikim aspak bindës për ndjekësit ngre pyetjen se pse është zbythur gazetari italian i “RAI 3”? Deri më tani ata mjaftuan duke hedhur dyshime, jo zbulime faktesh. Dyshimet e tyre janë mbështetur në akuza digjitale të Sali Berishës dhe kjo e bën më kollaj që një denoncim për shpifje nga njerëzit e akuzuar këtu në Shqipëri, televizioni italian do të merrte një goditje të fortë.
Frika e gjyqit për shpifje
Nëse akuzohen dhe dënohen për shpifje penale, gazetarët përballen me tre deri në gjashtë vjet burg sipas ligjit italian të shtypit të vitit 1948 . Jo vetëm kaq, por ka edhe gjoba të rënda. Vetëm pak muaj më parë, një gjykatë në Romë e shpalli fajtor gazetarin Roberto Saviano duke i vendosur gjobë. Prokuroria kishte kërkuar një gjobë prej 10 mijë eurosh. Ishte kryeministrja italiane Meloni e cila e hodhi në gjyq pas kritikave që gazetari bëri ai në dhjetor 2020, përpara se Meloni të bëhej kryeministre. Saviano kritikoi politikanin dhe liderin e saj të ekstremit të djathtë Matteo Salvini për komentet e tyre mbi anijet bamirëse të shpëtimit të emigrantëve, duke iu referuar çiftit si “bastardë”. Po ashtu Meloni ka çuar së fundmi në gjyq dhe gazetarin Emiliano Fittipaldi, i cili punon për gazetën e majtë “Domani”, si dhe drejtori i saj, Stefano Feltri, të cilët akuzohen për shtrembërim të fakteve në një artikull të botuar në vitin 2021 ku thuhej se liderja e ekstremit të djathtë u përpoq të ndihmonte shoqen e saj të siguronte kontratën me qeverinë italiane në një tender gjatë pandemisë. Zonja Meloni, partia e së cilës, Vëllazëria e Italisë (FdI) ishte në opozitë në atë kohë, mohoi raportin dhe ngriti padi. Një gjykatës në Romë vendosi që do të zhvillohej një gjyq. Avokatja e zonjës Meloni tha nga ana e saj se gjykimi do të mbahet më 10 korrik 2024. Në një kërkim që gazeta “SOT” ka bërë në artikujt e medieve italiane, sipas tyre, vlerësohet se gazetarët e paditur duhet të shpenzojnë të paktën 54 milionë euro çdo vit për të mbuluar vetëm shpenzimet e mbrojtjes ligjore. Procesi është i gjatë dhe zvarritës dhe shumicat e rasteve kanë humbur gazetarët. Madje sipas alarmit që ato japin, janë me mijëra gazetarë që janë dënuar për shpifje. Kjo mund të jetë një nga arsyet që emisioni “Report” u tërhoq pasi, Engjëll Agaçi paralajmëroi se do të ngrejë padi për shpifje ndaj emisionit. Krahasimi i bërë nga programi televiziv sipas Agaçit, është shumë i dëmshëm për reputacionin e tij.
Reagimet Rama-Meloni
Kujtojmë se mbrëmjen e 21 prillit, emisioni investigativ, “Report”, i transmetuar në televizionin italian “Rai3”, solli reportazhin ku në fokus kishte marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, por u shtri dhe në të tjera ujëra, si akuzat e opozitës për vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën. Gjithashtu, në këtë reportazh u përmend edhe “avokati i kriminelëve” ashtu si citohej ndër rreshta në këtë reportazh, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi. E pas publikimit të këtij reportazhi ujërat si në Itali po ashtu në Shqipëri u trazuan dhe pati reagime të forta në politikën shqiptare dhe atë fqinje. Një “skandal i vërtetë, i bazuar në gënjeshtra”, kështu iu referua këtij reportazhi kryeministri Edi Rama i cili theksoi se për qëllim kanë pasur dëmtimin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni. Sakaq kjo e fundit, qëndroi po në të njëjtën linjë me homologun shqiptar. Dy ditë më parë, përmes një reagimi zyrtar Meloni tha se Rama u sulmua dhe u linçua nga mediat italiane si kreu i një shteti që varet nga droga, vetëm për faktin se shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmua popullin italian.