Gruaja e Pëllumb Metës që u vra nga fëmijët: Rrinte i armatosur, e kishim frikë
Pëllumb Meta është 50-vjeçari i cili u vra nga fëmijët e tij. Ai u vra më 10 shkurt, teksa djali i madh e raportoi të humbur në polici në datën 13 shkurt. Plani ishte i inskenuar për të fshehur gjurmët e vrasjes. Meta u gjet i groposur dhe pa shenja jete në një kasolle pranë shtëpisë.
Në fillim për ngjarjen e regjistruar në Shënavlash u arrestua vajza e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta, por pas hetimeve nga policia u zbulua se në ngjarje ishin të përfshirë edhe dy fëmijët e tjerë të viktimës, Hysen Meta 25 vjeç dhe Amarildo Meta 21 vjeç.
Ndërkohë bashkëshortja e të ndjerit, pra nëna e fëmijëve që vranë të atin, shprehet se 50-vjeçari ishte një person shumë autoritar dhe i dhunshëm, ku askush nuk guxonte t’i kthente fjalën. Duke qenë se ishte i dhunshëm dhe i armatosur, gruaja tha se të gjithë kishin frikë për jetën.
“Vajzat s’kanë guxuar të dalin një herë në vetëm. As në dyqan, asgjëkundi, njësoj si unë të shtypura. S’bëhet fjalë të flasin me komshinjtë, gjithmonë kur ecnin kokën përtokë. Shkonin vetëm në shkollë dhe në shtëpi. Tani me një njeri që të dhunon dhe të kërcënon për jetën, padyshim që kanë frikë dhe fëmijë. Ai kishte armë, pasi punonte roje, frikën ia kishim që të gjithë arriti kjo punë deri këtu. Një njeri që është agresiv, i dhunshëm, autoritar dhe i armatosur, është normale që ka frikën”, tha ajo.