Rei Manaj i pandalshëm në Turqi, Uzuni realizon të shtatin sezonal dhe i jep sinjale Silvinjos
Lojtarët e Kombëtares po kalojnë përgjithësisht momente të mira. Me përjashtim të Armando Brojës, i cili nuk po gjen ende vetveten me Fulhamin, të tjerët kanë marrë minuta madje dhe kanë të dhëna të mira sportive, duke u përpjekur të lënë sa më shumë gjurmë, me shpresën se do të marrin ftesën e trajnerit Silvinjo në Kombëtare, për finalet e Kampionatit Europian. Nga sulmuesit, dy më kryesorët e momentit janë Rei Manaj dhe Myrto Uzuni, të cilët kanë minutazh të konsiderueshëm, luajnë si titullarë dhe natyrisht shënojnë gola. Sidopmos lushnjari po bën një sezon fantastik me Sivasporin në Turqi, duke qenë kandidat për të fituar “Këpucën e artë” në superligën turke, kurse Uzuni, titullar me Granadën, shënoi golin e radhës në Spanjë, të shtatin sezonal, duke u rritur në sytë e Silvinjos dhe padyshim që do të marrë ftesë në Europian.
Manaj i pandalshëm, tjetër gol në Turqi
Në kampionatin turk luan një kontigjent shumë i rëndësishëm i lojtarëve shqiptarë, të cilët janë shtuar shumë në numër këtë edicion, ndërkohë që një pjesë luajnë titullarë dhe janë protagonistë kryesorë në ekipet respektive. Njëri prej tyre, Rei Manaj ,nuk ndalet. Sulmuesi shqiptar ka shënuar përsëri me Sivasporin në Superligën turke, duke gjetur golin e 13-të në kampionat. 26-vjeçari, i cili po kalon një formë të shkëlqyer sportive, zhbllokoi takimin në transfertë kundër Hatajsporit në minutën e 18-të. “Predha” e Manajt u ndal në rrjetën kundërshtare, teksa ky është eurogoli i dytë radhazi nga goditja e dënimit. Avantazh i rëndësishëm për Sivassporin dhe 13 gola gjatë këtij edicioni në Superligë për lushnjarin, i cili nuk ka ndërmend të ndalet.
Uzuni gjen golin e shtatë sezonal me Granadën
Situata e shqiptarëve që luajnë në kampionatin spanjoll është në tërësi e mirë dhe premtuese. Dy lojtarët kryesorë shqiptarë që luajnë në këtë ligë janë mbrojtësi Ivan Balliu me Rajo Valekanon, si dhe Myrto Uzuni që luan si sulmues i Granadës. Të dy lojtarët kanë minutazh dhe janë në planet e Silvinjos të ftohen në Europian. Ata po bëjnë përpjekje për të qenë në formë në kohën e duhur. Ndërkohë, Granada dhe Almeria, dy ekipet që mbyllin klasifikimin e La Ligas, ndanë pikët në stadium “Los Carmenes” në një barazim 1-1, që, në fakt, nuk i vlejti asnjërës skuadër. Golin e ekipit andaluz e realizoi sulmuesi i Kombëtares Kuqezi, Myrto Uzuni, por që nuk mjaftoi për të marrë tri pikët. Më kalimin e javavëve bëhet gjithnjë e më e vështirë për Granadën gara për mbijetesë. Fantastik Myrto Uzuni. Sulmuesi shqiptar realizoi golin e barazimit (1-1) në takimin me Almerian, një rivale e drejtpërdrejtë për mbijetesë. Në minutën e 75-të, “bomberi” kuqezi i shkëputet me zgjuarsi mbrojtjes dhe përballë portierit nuk gabon, 1-1. Ishte goli i shtatë sezonal për sulmuesin beratas. Uzuni tenton mrekullinë në minutën e gjashtë shtesë, por topi devijohet nga portieri.