Ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, ka nënshkruar një marrëveshje lobimi në SHBA me një lobist amerikan, i cili do të përfaqësojë interesat e tij dhe të partneres Erjola Hoxha.
Sipas marrëveshjes, e cila është nënshkruar në 25 janar të këtij viti,thuhet se lobisti amerikan Edward Stewart do të ofrojë shërbime për çështjet publike dhe advokaci për Ahmetajn dhe partneren e tij.
Por në këto dokumente është zbuluar dhe adresa e banimit të Ahmetaj, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë shqiptare. nën akuzë nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, dhe fshehje të pasurisë.
Sipas dokumenteve ish-zëvendëskryeministri banon aktualisht në Lugano të Zvicrës, qyteza e njohur si rezidencë për banka dhe për biznesmenë.
Adresa është: Rruga Stefano Franscini 11 6900, Lugano, Switzerland (Zvicër).
Theksojmë se Arben Ahmetaj është në arrati nga drejtësia shqiptare, i kërkuar që nga qershori i vitit të kaluar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas SPAK ai dhe familjarë të tij kanë përfituar vila dhe pagesa me vlerë qindramijëra euro nga biznesmenët në Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, gjithashtu në arrati nga drejtësia shqiptare.
Po sipas SPAK, Zoto ka përdorur kartën e tij bankare si dhe llogaritë e kompanisë ITS për të paguar shpenzime të ndryshme për Ahmetajn dhe të afërm të tij, përfshirë hotele luksi në vende të ndryshme apo shpenzimet për rinovimin e një apartamenti.
Ndërkohë Ahmetaj pretendon se është i pafajshëm ndaj akuzave dhe se sipas tij çështja është e stisur politikisht.
Madje në një intervistë me gazetarin Çim Peka pak ditë më parë, ish-ministri tha se ishte kërcënuar 3 herë dhe për këtë drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama.