Drejtuesi i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori komentoi dje situatën politike, ndërsa hodhi akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në lidhje me debatin më të nxehtë politik për Reformën Zgjedhore, zoti Qori u shpreh dje në një prononcimi për mediat se diskutimet duken dytësore. “Diskutimet për reformën zgjedhore janë dytësore. Mund të dal unë me një dokument shumë të mirë 10 hapa për reformën zgjedhore por s’do ketë as jehonë, as nuk do merret parasysh sepse vendosin këta që janë në parlament. Reforma zgjedhore do bëhet këto muaj dhe ne nuk kemi asnjë mënyrë të ndikimit në vendimmarrje. Për mua përparësi është që të bind qytetarët. Reformën do ta bëjnë të tjerët”, deklaroi ai. Sa i përket zgjedhjeve të 2025, Qori theksoi se do të bëjnë fushatë duke kërkuar vota kudo, ndërsa theksoi se “lufta” e Lëvizja Bashkë do të jetë “për kauza qytetare”. “Ne do të bëjmë fushatë dhe do të kërkojmë vota në të gjithë Shqipërinë. Kemi pasur numër të madh qytetarësh që janë anëtarësuar në partinë tonë. Ne jemi për një politikë që është aty ku qytetarët i ndiejnë në përditshmëri padrejtësitë. E duhet ta fitojmë mbështetjen e qytetarëve për meritën tonë. Ne duam të fitojmë me mbështetjen e qytetarëve”, u shpreh ai. Ndërsa shprehu mbështetjen ndaj SPAK, apeloi që të vërë para drejtësisë të gjithë politikanët. “Ti kërkojmë SPAK të bëjë detyrën dhe të vendosë të gjithë të korruptuarit para drejtësisë”, tha ai. Ndërkohë një koment pati dhe për ndëshkimin e Sali Berishës në arrest shtëpie për aferën “Partizani”. “Unë mendoj se zoti Berisha, Rama, Meta dhe Berisha do duhej prej kohësh të ishin përballur me drejtësinë. Këta kanë dekada që abuzojnë, që vjedhin qytetarët. Do duhet të kishin frikë nga institucionet ata dhe jo institucionet prej tyre. Ne na kanë vjedhur aq shumë sa e kemi toleruar vjedhjen”, nënvizoi Qori.