Qeveria ka miratuar sot rritjen e pagave për punonjësit e pushtetit vendor. Lajmin e ka bërë të ditur ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku i cili ka deklaruar se të gjitha pagat e pushtetit vendor do të unifikohen. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi se do të ketë një reformë në politikat e pagave në të gjitha bashkitë.
Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Mazniku u shpreh se reforma nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e pagave, por edhe ristrukturimin e bashkive. Ministri mori një shembull duke thënë se një jursit apo një arkitekt do të marrë të njëjtën pagë në çdo bashki, pavarësisht madhësisë së saj.Mazniku tha se “Përmes këtij vendimi unifikojmë mënyrën e llogaritjes së pagave dhe vjetërsisë së punës së punonjësve të bashkisë, e unifikojmë atë si llogaritet vjetërsia e punës edhe në administratën shtetërore”.
“Konkluduam një proces që nisi që në vitin që shkoi me dialogun vendor. Ka të bëjë me pagat e pushtetit vendor, por jo vetëm për pagat. Është një reformë strukturore që merret me ristrukturimin e bashkive, stafet e tyre në tre grupime të mëdha. Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Në nivele pagash të unifikuara të të gjitha bashkive, duke dhënë mundësitë, që një jurist apo arkitekt, të marrë paga të ngjashme pothuajse në të gjitha bashkitë. Rritja e pagave, të të gjitha bashkive, është në nivele të unifikuara të pagave. Kështu unifikojmë mënyrën e llogaritjes së pagave, me mënyrën sesi llogaritet vjetërsia e punës. Ky vendim do t’i japë mundësi bashkive, të tërheqin në mënyrë nga tregu profesionistë. Ky është ndër hapat e rëndësishëm në ristruktuimin sistematik të të gjitha bashkive”, theksoi ai.