Me dhjetëra banorë të fshatit Pajovë në Peqin dolën në një protestë këtë të premte në vendin e ngjarjes ku u aksidentua për vdekje i mituri Enio Tabaku.
Banorët kërkojnë plotësimin e disa kërkesave, për rregullimin e qarkullimit rrugor në atë zonë, që të mos ketë më ngjarje të rrezikshme. Organizatorët e protestës kërkojnë kufizues shpejtësie, vendosjen e sinjalistikave rrugore dhe policëve, mbikalime e ndriçim në zonë.
Ndërkohë, babai i 8-vjeçarit ka folur për mediat dhe ka kërkuar që autorët të marrin dënimin e merituar, ndërsa kërkon nga autoritetet të marrin masa për të ulur rrezikshmërinë në atë segment rrugor.
“Të kalben në burg ata që e shkaktuan aksidentin dhe të merren masa nga autoritetet që automjetet të mos lëvizin me shpejtësi në këtë zonë. Djali ishte në shtëpi dhe doli për të shkuar te shokët e tij për të luajtur”, u shpreh babai i 8-vjeçarit.
Nxënësi i shkollës së Pajovës po qëndronte në anë të rrugës, duke mos pasur lidhje me asnjë nga mjetet e përfshira në aksident.
Mësohet se mjeti ka qenë tej normave të lejuara të shpejtësisë, në një zonë të banuar. Raportohet se vogëlushi po çonte lule te varri i mamasër kur ndodhi aksidenti fatal.