Fotoja e mësipërme është e 26-vjeçarit Xhulio Malo, i arrestuar ditën e sotme për pjesëmarrje në vrasjen e Elis Roshkodolit në Shkodër. I riu që dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin e datës 30 gusht, është prangosur nga policia e Shkodrës dhe akuzohet për bashkëpunim në vrasje dhe sigurimin e mjeteve për të kryer vrasje.
Viktima ishte person i njohur për autoritetet vendase dhe të huaja. Ka dyshime që 36-vjeçari ka qenë pjesë e grupit të Bajrave në Shkodër dhe ka kryer disa ‘punë’ për ata. Në dritë ka dalë dhe një ngjarje e ndodhur në vitin 2010 në Shkodër ku është plagosur Hysni Bregu. Plagosjen e ka kryer Roshkodol, për arsye që ende nuk janë zbuluar ndërkohë që Bregu është babai i ‘të fortit’ të Shkodrës, Barush Bregu.
Në vitin 2014 Roshkodoli rezulton i arrestuar së bashku me 13 persona të tjerë, kryesisht shqiptarë në Belgjikë. Në atë kohë ndaj tij rëndonin akuzat e grabitjes në Belgjikë. Po në Belgjikë, Roshkodoli dyshohet se ka plagosur një tjetër shkodran me mbiemrin Shema. Ndërkohë që në në 25 prill të vitit 2023, Roshkodoli ka nisur një sherr me pronarin e një klubi nate në Rumani. 36-vjeçari e ka plagosur me thikë dhe më pas është larguar nga vendi. Për këtë mbi Roshkodolin rëndojnë akuzat e plagosjes dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet rumune.