Një çift është në gjyq në Holandë që nga e enjtja me akuzën se e mbajtën vajzën e tyre dhjetëvjeçare në një kafaz të siguruar elektrikisht dhe se e hodhën nga një shkallë. Rasti u zbulua kur fëmija u dërgua në spital në muajin maj pa ndjenja, e ndotur, me disa kocka të thyera dhe e kequshqyer rëndë. Sipas raportimeve, 10-vjeçarja peshonte vetëm 22 kilogramë në atë kohë.
Vajza u zgjua nga koma vetëm në korrik dhe sot e kësaj dite nuk mund të ulet e as të komunikojë, siç shpjegoi prokurori publik në fillim të gjyqit në Roterdam.
Fëmija ndoshta do të ketë nevojë për kujdes intensiv mjekësor për pjesën tjetër të jetës së tij. Gjithashtu vajza kishte kërkuar ndihmë disa herë Dy të pandehurit 37-vjeçarë duhet të përgjigjen ndër të tjera, për vrasje të mbetur në tentativë. Sipas hetimeve, ata e kanë mbajtur të burgosur në shtëpinë e tyre për muaj të tërë vajzën kujdestare dhe e kanë dhunuar.
“Ata e mbyllën atë në dhomën e saj, i lidhën krahët dhe këmbët dhe ia mbyllën gojën me shirit ngjitës. E mbyllën në një kafaz të bërë vetë, i cili ishte i lidhur me tela elektrike”, thuhet në aktakuzë.
Sipas avokatit të tyre, të pandehurit mohojnë ta kenë hedhur fëmijën nga shkallët. Përkundrazi, vajza u hodh poshtë vetë.
Rasti bëri bujë në Holandë për ditë të tëra. Pyetja kryesore që u ngrit në mënyrë kritike ishte se pse autoritetet nuk ishin vënë në dijeni për keqtrajtimin e supozuar. Sipas mediave, vajza ka kërkuar disa herë ndihmë. Para se të përfundonte në kujdestari, fëmija ishte marrë nga prindërit e tij të lindjes pasi ishte abuzuar.