Disa të zhdukur në mënyrë misterioze, qytetarë të ekzekutuar me armë zjarri dhe eksploziv, qindra skandale, qindra afera korruptive ku luheshin miliona euro, 40 mijë spastrime politike nga administrata, mijëra katapultime nepotike dhe familjare në piramidën e administratës publike etj. Kjo ishte vetëm maja e ajsbergut e bilancit të zi të sundimit 8-vjeçar të Sali Berishës, i cili u rrëzua me votë popullore nga pushteti në 2013. Bilanci i qeverisë Berisha në 8 vite pushtet 2005- ishte një bilanc skandalesh, vrasjesh, videosh seksuale dhe korrupsioni, përvetësimi i pasurive publike, sulmesh denigruesi me epitetet si lavire bulevardi dhe horr bulevardi.
Sulmet ndaj gjyqësorit, pandëshkueshmëria, uzurpimi i institucioneve të pavarura, vjedhja e hapur me tendera, mungesa e transparencës dhe korrupsioni në qeveri, u kthye në një normalitet gjatë 8 viteve të sundimit të Berishës. Edi Rama u kërkoi votën shqiptarëve, duke u premtuar drejtësi për të gjitha krimet njerëzore dhe ekonomike të Sali Berishës, por asnjë nuk u dënua derisa doli në skenë SPAK. Të gjitha skandalet me prova dhe fakte të qeverisë “Berisha” të cilat nuk u hetuan siç duhet, po i hap një nga një Prokuroria e Posaçme e financuar nga amerikanët.
1. Zhdukja e Remzi Hoxhës nga SHIK-u kriminal i Sali Berishës
Ashtu si regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, edhe Sali Berisha ka zhdukur me anë të SHIK-ut famëkeq bashkatdhetarët tanë, të cilët kanë cënuar edhe pa vetëdije interesat politike të Berishës. Por, nëse sigurimi i Enver Hoxhës zhdukte njerëz për të mbrojtur nomenklaturën e kuqe, SHIK-u famëkeq i Sali Berishës ka zhdukur njerëz për interesa të Millosheviçit, Hitlerit të Ballkanit që masakroi popullin e Kosovës. Torturimi dhe më pas zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha nga SHIK-u famëkeq i Bashkim Gazidedes, mbetet pa dyshim damka më e zeza kriminale e Sali Berishës, gjatë regjimit të tij pas vitit 1992, deri kur u rrëzua me luftë nga amerikanët në vitin 1997. Hoxha u rrëmbye, u torturua dhe u zhduk pa lënë gjurmë, pasi ishte dëshmitar i një takimi të fshehtë të Sali Berishës dhe Millosheviçin. Tre ish shikasit, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi akuzohen nga drejtësia për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Por, Sali Berisha dhe njerëzit e tij nuk lejuan kurrë që të vendosej drejtësi për këtë çështje dhe që të zbardhej e vërteta, pasi rrënjët e krimit ishin tek ai. Sali Berisha jo vetëm nuk reflektoi nga këto vrasje mafioze, por mbrojti dhe shpërbeu me poste në administratë, ish-punonjësit e SHIK-ut që zhdukën njerëz të pafajshëm. Nga ana tjetër drejtësia mbajti peng ekstradimin e Ilir Kumbaros, ish-punonjësit të SHIK-ut në kohën e Berishës, i cili akuzohet për zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha në vitin 1995. Sali Berisha është akuzuar edhe nga familjarët e të ndjerit Hoxha. Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ka akuzuar kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, se është duke mbrojtur dhe shpërblyer vrasësit e babait të tij.
“Ka shumë fakte që janë deponuar në prokurori që vërtetojnë pjesëmarrjen e tyre në zhdukjen, torturimin dhe vrasjen e babait tim. Dua të pyes Sali Berishën, përse iu del në mbrojtje këtyre kriminelëve? Përse e pengon drejtësinë? Përse e pengon ekstradimin e Ilir Kumbaros”, ka thënë shpesh Hoxha në reagimet e tij. Drejtësia e vjetër nuk e zbardhi këtë çështje, por situata mund të ndryshojë. Vetë familjarët e të ndjerit Hoxha kanë paralajmëruar se do të hapin dosjen në SPAK duke çuar të gjitha provat që nuk u hetuan kurrë.
2. Gërdeci, simboli i krimit njerëzor dhe ekonomik i Sali Berishës
Konsiderohet si niveli më i lartë i krimit njerëzor dhe ekonomik i kupolës në pushtet. Gërdeci ndërkombëtarizoi qeverinë Berisha si qeverinë më kriminale të Evropës. Një aferë e mirëfilltë korruptive, me protagonistë familjarët e Sali Berishës, u mori jetën 26 personave. Përgjegjësit e vërtetë jo vetëm që u lanë të lirë, por as nuk u hetuan. Bëhet fjalë për biznes fitimprurës për kompaninë Albademil dhe SAC, por që nga shpërthimi i Gërdecit, humbën jetën 26 persona (mes tyre dhe baxhanaku i kryeministrit), u plagosën mbi 300 vetë dhe u dëmtuan mbi 4000 prona. Tre ditë më vonë jep dorëheqjen ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndërkohë që prangoset Ylli Pinari, drejtor i MEICO, Mihal Delijorgji, pronar i Albademil dhe Dritan Minxolli, drejtor i fabrikës. Hetimet një vjeçare vunë nën akuzë 29 persona dhe çështja shqyrtohet në Gjykatën e Lartë. Korrupsioni i Gërdecit dhe dosja hetimore, nxorën në pah shumë elementë. Një ndër njerëzit që kishte influencuar në bërjen e akteve nënligjore dhe ligjore që çuan në tragjedi ishte djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Vetëm 38 minuta pas shpërthimit të Gërdecit, Mediu flet në telefon me djalin e ish-kryeministrit.
Ndërkohë që tre ditë pas tragjedisë, Shkëlzeni takohet me Mediun në zyrën e këtij të fundit, pak minuta pasi Mediu ishte takuar me Ina Ramën dhe pak minuta para se të arrestohej Ylli Pinari. I përfshirë në këtë aferë rezultoi edhe Rahman Selmanllari, shoku i ngushtë i djalit të kryeministrit, i cili ishte administrator i kompanisë amerikane SAC. E po ashtu edhe Fahri Balliu, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, i cili kishte bërë pronare vajzën e tij Henris Balliu, aksionere me djalin e Delijorgjit në firmën “Trans Digging”, e cila ndërtoi fabrikën e Gërdecit. U përfshi edhe ish ministri Aldo Bumçi, i cili vendimin e qeverisë që i hapi rrugën Gërdecit ia besoi Shkëlzen Berishës. Denoncuesi kryesor i gjithë kësaj afere u bë ish biznesmeni Kosta Trebicka. Më vonë, publikohet artikulli i Neë York Times, për armë të skaduara nga Shqipëria drejt Afganistanit. MEICO e përfshirë në trafik. Ylli Pinari, drejtor i MEICO kontaktoi me Efraim Diverolin, pronar i AEY, i cili kishte fituar kontratë nga Pentagoni për të pajisur me armë ushtrinë afgane, nëpërmjet një prej njerëzve të listës së zezë së SHBA, Henry Tomei, nëpërmjet firmës Evdin. Në pazarin e shitjes së fishekëve u përfshi edhe djali i ish-kryeministrit, pas një bisede të regjistruar mes Kosta Trebickës dhe Efraim Diverolit.
Amerikani pretendonte se në këtë aferë ishte edhe djali i kryeministrit. Sali Berisha e konsideroi Neë York Times si një letër higjenike. Municionet kineze hiqeshin nga depot shqiptare dhe u fshihej etiketa “Made in China”. Qeveria shqiptare i bën presion gazetës prestigjioze Financial Times, që të shihte edicionin special në këmbim të reklamave shtetërore që duhet të merrte nga ministritë. Por gazeta nuk pranoi këtë akord. Për Gërdecin ende nuk është vendosur drejtësia. Por çështja po hetohet nga SPAK dhe procesi vazhdon. Mbetet të shihet nëse do të goditet familja “Berisha” pas kaq shumë vitesh padrejtësi.
3. Zhdukja e Kosta Trebickës
Disa muaj pas Gërdecit, humbi jetën në rrethana misterioze aksidenti, ish biznesmeni Kosta Trebicka, i pari biznesmen që denoncoi aferën korruptive të Gërdecit dhe trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Hetimet e prokurorisë dhe konkluzionet e një eksperti amerikan nxorën se vdekja e tij në një fshat të Korçës ishte aksidentale, edhe pse në opinion ky mendim nuk gjeti vend. Më pas emri i tij u përdor për luftë politike nga të dy palët. Shumë dyshime ngrihen mbi vdekjen e Kosta Trebickës. Shtypi i të gjithë botës ka komentuar mbi vdekjen e biznesmenit shqiptar, Kosta Trebicka, duke lënë hije dyshimi mbi rrethanat e humbjes së tij, si dëshmitari kryesor i skandalit të tregtisë së armëve dhe korrupsionit të zyrtarëve. “New York Times” ka komentuar ndër të tjera se dëshmitari kyç i ngjarjes së Gërdecit dhe aferave të AEY, ka rrëfyer shumë herë frikën për jetën e tij. Gazeta prestigjioze amerikane pasqyroi lajmin duke e komentuar vdekjen si humbjen e dëshmitarit kyç që shpalli provat e korrupsionit publik.
4. Zhdukja e Eduard Belegut
Një dëshmitar kyç i kontrabandës së naftës nga Policia e Shtetit u zhduk . Bëhet fjalë për Eduard Belgun, këshilltarin e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Nisur nga rrëfimet tronditëse të Dritan Priftit, Partia Socialiste akuzoi zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit për zhdukjen e këshilltarit të Priftit, Eduard Belegu, pak ditë pasi ky i fundit po bëhej gati të denonconte skandalin për kontrabandën e naftës. Ish-deputeti socialist, Saimir Tahiri, lëshoi në atë kohë akuza të ashpra në adresë Berishës dhe ish.zëvendës-drejtorit të Policisë, Agron Kuliçi. Tahiri hodhi dyshime dhe për përfshirjen e tij në disa pre ngjarjeve të fundit, duke nisur nga vdekja e Kosta Trabickës, zhdukja e Eduard Belegut dhe vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. “Ajo është një vrasje politike, jo sepse e themi ne, por sepse të tillë e ka klasifikuar prokuroria”, theksoi Tahiri. Ai u shpreh se zëvendësdrejtori i Policisë ka qenë i pranishëm i pari në skemën e krimit edhe në vrasjen e Xhindit dhe në aksidentin e Kosta Trebickës. “Kuliçi është i pari që u shfaq në skenën e krimit të vrasjes së Xhindit. Kjo dorë e errët me kontribut në vjedhjen e shqiptarëve”, tha ai. Nga ana tjetër Tahiri ka theksuar Berisha ka në raport që flet për krimin e organizuar dhe përfshirjen e politikanëve të djathtë.
5. Fazlliçi dhe roli i Argitës
Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, ka ndërhyrë në institucionet shtetërore për miratimin e lejes së ndërtimit të një parku energjetik në tokat që kishte blerë pak kohë më parë miku i familjes, Damir Fazlliç. Në e-mailet konfidenciale të Argita Malltezit dhe shtetasit arab Zafar Ansar për shitjen e tokave të Damir Fazlliç është diskutuar edhe ndërhyrja e saj në disa institucione. Madje, ka qenë vetë vajza e ish-kryeministrit ajo që ka premtuar të ndërhyjë në Koorporatën Energjetike Shqiptare për të marrë lejen prej saj. Më pas janë marrë edhe lejet nga Ministria e Energjetikës, Këshilli i Ministrave dhe së fundmi, KRT-ja e Durrësit. Të gjitha këto institucione kanë varësi direkte ose lidhje të afërta me Sali Berishën. Edhe pse vajza e ish-kryeministrit Berisha pretendon që është një avokate që nuk ka lidhje me punën e të atit, të gjitha këto vendime janë në shkelje të hapur dhe në konflikt me detyrën e të atit. Madje për të rregulluar takim me drejtorin e KESH vajza e kryeministrit kërkonte 800 euro. Këto afera ndodhen në dosjen e britanikëve dhe amerikanëve. Ishin pikërisht aferat me Fazlliç që detyruan britanikët të shpallnin “non grata” Sali Berishën.
6. Hyrja e Fazlliçit në Shqipëri
Në Shqipëri kishte krijuar firmën SRF Developments, me administrator Erjon Isufin. Pas zgjedhjeve 2005, regjistroi në QKR tre firma. Ndërkohë që te Kompania Rompetrol kishte punësuar mbesën e Sali Berishës, Shpresa Breçani. U verifikua blerja e tokave në Porto Romano, para se Berisha ta deklaronte këtë si një park industrial. U akuzua edhe për ndërhyrje në blerjen e energjisë për llogari të Shqipërisë nga Rudnap. Ortakja e Argita Berishës, Flutura Kola i bleu Fazlliçit një kompani në vlerën e 1.7 milionë eurove për firmën Croën Acquisitions. Prokurorët ndalohen për herë të parë të pyesin Damir Fazlliç, i ndihmuar nga policia për t’u larguar nga vendi. Berisha akuzoi Ina Ramën: Është prokurore e diktaturës. Pasuritë e Fazlliçit po i bllokon mafia.
7. Grabitja e pronave në bregdet
Shpërthen skandali i “Jalës”, i implikuar dhëndëri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Bëhet fjalë për prishjen e shtëpive të banorëve në Jalë në qeverisjen “Berisha”, nën argumentin se do të zbatohej një projekt i Bankës Botërore. Por, BB sapo mori ankesat e banorëve nisi një panel inspektimi në terren për të parë të gjitha shkeljet, dhe nxori me përgjegjësi një pjesë të zyrtarëve të vet lokalë dhe po ashtu edhe drejtorin e projektit të menaxhimit të bregdetit të Jugut, dhëndrin e kryeministrit. Çështja hapi debate të forta në Parlament, por nuk u hetua kurrë.
8. Shitja e detit Greqisë
Ish-kryeministri grek, Kostas Karamanlis, zbret në Tiranë, në një takim me krerët më të lartë të shtetit dhe qeverisë, në një vizitë dy ditore. Berisha dhe Karamanlis nënshkruan marrëveshjen për “sheltin detar” që u konsiderua si skandali i radhës. Marrëveshja u mbajt sekret nga qeveria shqiptare, ndërkohë që kjo ishte arritja e vetme e këtij takimi. Sipas koordinatave të reja të vendosura mes Shqipërisë dhe Greqisë, qeveria shqiptare i fali Greqisë rreth 225 kilometra katrorë det. Baraslargësia e pikave nuk është ruajtur, ndërkohë që për koordinatën 150, fundore, kanë pretendime dhe italianët. Qeveria u negociua brenda vitit, por ajo pas presionit të ushtruar nga media dhe një pjesë e politikës, nuk kaloi në legjislaturën e kaluar parlamentare.
9. 21 Janari
21 Janari është ngjarja më e rëndë dhe njolla më e zezë e qeverisë “Berisha” pas Gërdecit. Më 21 Janar shteti me në krye Berishën vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe plagosi me dhjetëra të tjerë. Në fillim Berisha tha se protestuesit kishin vrarë njeri-tjetrin, më pas pranoi vrasjet, por tha se Garda kishte zbatuar ligjin, pasi demonstruesit ishin vrarë brenda rrethimit. Kur u vërtetua se protestuesit ishin vrarë jashtë rrethimit, Berisha sajoi puçin e shtetit dhe ngriti një komision hetimor. Po ashtu, Berisha nuk lejoi as zbatimin e urdhrit të Prokurorisë për arrestimin e Komandës së Gardës. Refuzimi i Berishës për të dorëzuar komandantët, shokoi ndërkombëtarët. Kupola në pushtet u përfshi në një tjetër aktivitet kriminal, pasi zhduku të gjitha provat që kompromenton qeverinë në vrasje. Zhdukja e pamjeve filmike u vërtetua edhe nga FBI. Më pas Berisha hodhi në koshin e plehrave ekspertizën e FBI për vrasjet. Sot shpresa e madhe është rihapja e hetimeve nga SPAK. Gjykata e Strasburgut e ka dhënë manualin, duke i treguar rrugën prokurorëve specialë për të zbardhur vrasjet e 21 Janarit. Ndërkombëtarët thanë qartë se ato janë vrasje shtetërore dhe dosja nuk është hetuar siç duhet për shkak të presionit të qeverisë “Berisha”.
10. Afera e Genc Pollos me 50 milionë euro
Ish-ministri i Teknologjisë dhe Informacionit, Genc Pollo, është akuzuar me fakte në atë kohë se ka marrë 1.2 milion euro kesh në dorë për dhënien e lejeve për fibrat optike në vendin tonë. Po ashtu, Pollo është akuzuar se pazaret e tij me kompaninë “Albanian Telecommunications Union” (ATU) për vendosjen e rrjetit privat të fibrave optike, kanë krijuar monopolin e shtrimit të kabllove të internetit në Shqipëri, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 50 milionë euro dëm. Kompania ATU pa një licencë për vendosjen e rrjetit privat të fibrave optike, ka shtrirë kabullin pothuajse në gjithë Aksin Rrugor Kombëtar duke dëmtuar rrugë ekzistuese dhe akse në ndërtim. Në fundin e mandatit qeverisës, Genc Pollo është përfshirë në një aferë të pastër me një tender më vlerë 20 milionë euro, për dixhitalizimin e sistemeve televizive në vend. Përpos marrjes së kompetencave të institucioneve të tjera, përpos manovrave me afatet për dorëzimin e ofertave, lojës me data të dyfishta dhe mungesën e plotë të transparencës që po e shoqëron këtë proces, lepuri fle diku tjetër. Më konkretisht, Genc Pollo, tenderin, një herë e quan tender të hapur ndërkombëtar, një herë tender me negocim dhe një herë tender sekret me kushte të veçanta sigurie. Gjithçka është bërë për të çoroditur ofertuesit, me qëllim për të diktuar fituesin.
11. Trafiku i armëve, i implikuar Arben Imami
Konsiderohet si rekordmeni i qeverisë Berisha. Njeriu më i lakuar për korrupsion dhe afera. Imami është akuzuar në atë kohë për trafikimin e armëve të Ushtrisë Shqiptare drejt vendeve të Lindjes, në bashkëpunim me sekserë serbë të kërkuar ndërkombëtarisht. Imami dyshohet se kaloi pronat e Ushtrisë në emër të sekserëve të pushtetit. Rasti më flagrant është ish-klubi Partizani, pronë të cilën Imami ia dha dhëndrit të Berishës, aferë që sot ka izoluar në banesë ish-kryeministrin. Imami ka shkarkuar gjeneralë dhe komandantë duke shmangur presidentin. Po ashtu, ai akuzohet për përgjimin e opozitës dhe ambasadorëve.
12. Afera me fondet për 100-vjetorin, Flamur Noka
Flamur Noka është ministri i parë i Sali Berishës që po përballet me drejtësinë. Noka dyshet se ka firmosur urdhra të paligjshëm dhe komprometues gjatë qeverisë “Berisha”. Gjithashtu ai akuzohet edhe për abuzimeve me fondet e akorduar për zbukurime në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Nga ana tjetër, Noka po përballet në SPAK për aferën e rëndë që bëri me kartat e identitetit dhe pasaportat. Kur ishte Ministër i Brendshëm zgjodhi një shoqëri e cila pasi u hap rruga për të bërë kartat, ajo shoqëria u krijua më pas, ndërkohë që konkurrimi duhet bërë me ato shoqëri që ishin krijuar prej kohësh. Kurse Flamuri pasi siguroi milionat e eurove gjeti dhe shoqërinë për t’ia dhënë. Ajo shoqëri 5 milion euro do fitonte pas 5 vjetëve. Më pas kontrata do lidhej 10 vjeçare. Do ishte publike, do e bënte shteti. Më pas shteti do siguronte rreth 200 milion euro. Pa ligj, në mënyrë arbitrare, ministri i Brendshëm e shtyu kontratën dhe për 10 vjet të tjera. SPAK ka futur në skaner dhe pasurinë e dyshimtë të Nokës, të vendosur gjatë kohës që ai ishte në pushtet.
13. Genc Ruli, aferat me minierat
Genc Ruli, e ka pranuar vetë në atë kohë se ka marrë kompetencat e Kuvendit, duke ndryshuar një kontratë me kompaninë ACR lidhur me shfrytëzimin e lejeve minerale. Ish-ministrin i Ekonomisë dhe ish-ministër Bujqësie, Genc Ruli, ndryshoi me një firmë marrëveshjen koncesionare me kompaninë ACR, i cila shfrytëzonte në shkelje të kontratës minierat në Bulqizë. Sipas kontratës, krahas shfrytëzimit, kjo kompani duhej që deri në fund të 2010 të investonte të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. Megjithëse faktet ishin sheshit dhe rreth këtij skandali nuk kishte gjë të paqartë, dosja edhe sot vazhdon të endet në zyrat e Prokurorisë ndërsa abuzimet në minierë vazhdojnë.
14. Ridvan Bode, afera me naftën dhe ligjet klienteliste
Ridvan Bode dyshohet si arkitekti i disa ligjeve klienteliste. Bode bëri një ligj special për elektroshtëpiaket, për të favorizuar biznesin e oligarkëve. Shqiptarët dhe veçanërisht biznesi shqiptar paguajnë që prej vitit 2013 një taksë shtesë që ju vendos atyre nga koncesioni i skanimit në pikat doganore. Ky konçesion mban firmën e ish ministrit të Financave të qeverisë Berisha, Ridvan Bode. Kontrata koncesionare e Rapiskan është akuzuar si korruptive dhe për këtë arsye ajo u vu nën hetim edhe në shtetet e bashkuara. Çuditërisht ish anëtari i qeverisë Berisha jo vetëm që nuk u përgjigj penalisht për këtë aferë, por u zgjodh nga qeveria aktuale si anëtar i këshillit mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë që firmëtarët e asaj kontrate koncesionare duhet të hetoheshin të parët nga ana e SPAK.
Por çfarë ndodhi në muajt e fundit të qeverisjes së PD. Rapiscan Systems Inc. Me bazë në Kaliforni dhe kompania bijë e regjistruar në Shqipëri, S2 Albania fituan një kontratë koncesionare 15-vjeçare për skanimin e kontenierëve nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Kontrata u miratua në Parlament dy vjet më vonë dhe hyri në fuqi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Por koncesioni me vlerë 250 milionë dollarë është vënë nën hetim në shtetet e bashkuara. Kompania amerikane që kishte më shumë se gjysmën e aksioneve të koncesionit është akuzuar se ka paguar ryshfet për të siguruar kontratën. Carson Block, themelues i “Muddy Waters Research” pati deklaruar në një intervistë për “Bloomberg”, se kompania OSI Systems që ka 51 % të aksioneve ka paguar një ryshfet që arrinte pothuajse gjysmën e vlerës së kontratës që arrin në mbi 100 mln euro.
Agjencia e pavarur federale amerikane SEC, e cila mbron investitorët amerikanë nga mashtrimet që mund të bëhen në tregun e aksioneve në bursë, ka nisi hetimin pasi dyshonte per mashtrim në bursë për vlerën e investimit në Shqipëri. Është provuar se disa muaj pas lidhjes së kontratës, në një projekt që konsiderohej 250 milionë dollarë, kompania shiti 49 për qind të aksioneve për vetëm 4.5 dollarë. Këtë aferë socialistët të ardhur në pushtet në 2013 edhe pse e akuzuan, nuk arritën ta zgjidhin, por vetëm e rinegociuan, ndërsa ndaj realizuesit të saj ish ministrit të Financave Ridvan Bode nuk është marrë asnjë masë, ndërsa SPAK duhet ta marre nën hetim.