Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë dje në burg ish-drejtorin e ARRSH, Evis Berberi i arrestuar për tenderat miliona euro që i jepte kompanisë së tij. Berberi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Evis Berberi, prej muajsh në qeli, kishte paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme kërkesën me objekt “dhënie informacioni në lidhje me hetimet e kryera për çështjen penale në ngarkim të personit në hetim Evis Berberi”. GJKKO, me trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri ka vendosur vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj ish-drejtorit të ARRSH.
“Kërkuesi Evis Berberi më datë 14.06.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dhënie informacioni në lidhje me hetimet e kryera për çështjen penale në ngarkim të personit në hetim Evis Berberi për procedimin penal me nr.214/2023”. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenet 246/6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 370, datë 30.07.2024, vendosi: Verifikimin dhe marrjen e informacionit nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit për rastin objekt gjykimi.
Vazhdimin e masës së sigurimit “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj shtetasit Evis Berberi me anë të vendimit Nr.21, datë 13.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, miratuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me anë të vendimit Nr.16, datë 25.04.2024. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës kërkuese. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit”, thuhet në njoftim.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe dy ortakët e tij, biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lame janë arrestuar më 13 mars 2024. Sipas SPAK Evis Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj “NET – GROUP”, sh.p.k. Kjo e fundit përmes transaksioneve paratë i kalonte kompanisë ‘DAAM” që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte. SPAK thotë se përftimi ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro të cilat janë investuar nga kompania ‘DAAM’ shpk.në pasuri të paluajtshme.