I ftuar në episodin e radhës të “Back to the Beginning” me Kozeta Kurti, ishte Ledion Liço, për të folur për fillimet e karrierës, drejtimin e Top Albania Radio-s, prezantimin e “Big Brother Vip” dhe themelimin e Top Channel Films.
Lidhur me fillimet në Top Media Ledioni u shpreh:
Unë kam dashur të bëj muzikë në fillim. Muzika ka qenë diçka që më thërriste, më ndryshonte, më jepte forcë, më ngushëllonte më shumë sesa çdo gjë tjetër. Këtë e bënte muzika, libri, kinematografia. Muzika ka qenë qëllimi fillestar. Rrugës u dashurova me median në një tjetër formë. Gjithmonë të qënit i famshëm ka qenë një dëm anësor. Jam një njeri introvert dhe për këtë arsye nuk dua të shoh famën si qëllim, por kjo është pjesë e punës që bëjmë.
Tashmë drejtues i Top Albania Radio-s, Ledion Liço kujton hapat e parë në radion më të dashur të të gjithë shqiptarëve.
Unë kam qenë 16 vjeç kur kam ardhur në Top Albania Radio për herë të parë. Ka qenë një thirrje për “Select”, thirrje për prezantues të rinj. Bëra një provë dhe kjo doli në transmetim. E shikon ime më dhe thotë kështu do e nisësh ti me “Hej njerëz”. Mamatë në fillim kështu janë… Nuk më morën në punë me këtë… Gati një vit më pas, u hap formati i talenteve të reja dhe ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Aty kanë qenë shumë emra që sot e kësaj dite ia kanë dalë, Bes Kallaku, Nijada Saliasi dhe të tjerë…