Ka dalë para trupës gjykuese Taulant Malajt, shqiptari që akuzohet për vrasjen e vajzës së tij 16-vjeçare Jessica dhe fqinjit të tij Massimo De Santis në Itali. Malaj gjithashtu akuzohet edhe për tentativën e vrasjes së bashkëshortes Tefta, pasi dyshonte se ajo e tradhtone me De Santis. Gjykata e Assizes në Foggia hodhi poshtë kërkesën e shqiptarit për gjykim të shkurtuar si dhe mohoi vlerësimin psikiatrik të Malajt.
Avokati i gruas Tefta Malaj, Roberto de Rossi tha se çështja do të hetohet me themel duke analizuar sjelljen e shqiptarit nga Vlora para dhe pas vrasjes, si dhe do të shqyrtohen pamjet filmike ndërkohë e deri në momentin e masakrës. Imazhet që do të shfaqen në seancën e radhës gjyqësore që është caktuar në maj, janë të papërpunuara dhe tronditëse, sipas mediave italiane.
“Do të jetë një proces i gjatë dhe sigurisht i ndërlikuar. Ne synojmë të evidentojmë sjelljen e të pandehurit para dhe pas vrasjes për aspekte të ndryshme që lidhen me dozimetrinë e dënimit. Ne do të vazhdojmë në mënyrë konkrete dhe pragmatike me objektivat tona të qarta, duke vlerësuar herë pas here atë që del nga hetimi paraprak. Aktualisht mund të jemi të kënaqur vetëm sepse janë refuzuar të gjitha pyetjet paraprake, si para gjyqtarit hetues, ashtu edhe sot gjatë seancës, ku Gjykata është plotësisht dakord me argumentet e parashtruara nga Dr. Mannini në atë kohë.”, tha avokati.
Si ndodhi masakra më 7 maj 2023?
45-vjeçari me profesion bukëpjekës dyshonte se bashkëshortja e tradhëtonte me një italian të identifikuar si Massimo De Santis, 51 vjeç. Për këtë arsye, dyshja ishin konfliktuar shumë herë, por sherri kulmoi një natë më parë kur shqiptari i zuri pritë në shkallë italianit. Ai e qëlloi 51-vjeçarin me një thikë kuzhine dhe e la të mbuluar në gjak në shkallë ku dhe ndërroi jetë. Më pas, me të njëjtën thikë të lyer me gjak, u fut në banesë ku u konfliktua me të shoqen. Dyshja nisën të konfliktoheshin fizikisht. Ai qëlloi gruan me thikë e më pas nisi të qëllonte të bijën, vetëm 16 vjeçe, për të cilën gjithashtu thotë se është ngacmuar nga italiani. Adoleshentja ndërroi jetë në vend, ndërsa gruaja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. I vetmi që shpëtoi ishte djali 5-vjeçar. Taulant Malaj i filmoi të tre dhe videon me trupat e tyre të mbuluar në gjak ua dërgoi të afërmve. Në sfond dëgjohet të shante të shoqen dhe të thoshte se do të vijonte t’i masakronte me thikë, pasi policia nuk kishte mbërritur ende në vendngjarje.