Aktorja Elia Zaharia ka folur në lidhje me situatën e dhunës në pallatin mbretëror, ku vetë ajo përplaset fizikisht me Princ Lekën, me pretendimin se ky i fundit i ka dhunuar babanë, Gjergj Zaharia.
Ajo ka folur në një emision televiziv, ku është shprehur se kur pa babain e saj teksa dhunohej dhunshëm nga ish-bashkëshorti i saj, iu gris shpirti dhe ka reaguar pikërisht për të mbrojtur babain e saj, i cili kishte 10 ditë që kujdesej për vajzën e vogël.
Elia Zaharia bën me dije se me vajzën e saj jetojnë në shtëpinë familjare të cilën Princ Leka e ka braktisur sipas saj, deri në momentin që apartamenti që Leka i dha vajzës të ndërtohet.
“Të jesh e bindur që më panë sytë babin të sulmohej dhunshëm dhe mu gris shpirti. Të gjitha provat e dhunës janë në trupin e tij e prokuroria e gjykata i disponon të gjitha. Ti them këto pasi është e rëndësishme që njerëzit që më mbështetën publikisht, duke marrë edhe koston e urrejtjes së partizanëve të palës tjetër, të dinë në thelb që po mbrojnë një njeri që ‘u hodh në fyt’ në mbrojtje të prindit. Asnjë çështje prone nuk ka në mes, çdo gjë është e përcaktuar.
As uzurpim nuk ka, unë me vajzën jetojmë në shtëpinë familjare të cilën ai e braktisi, e kjo deri sa apartamenti që i dha vajzës të ndërtohet! E gjitha kjo sipas kodit të familjes ku mendohet interesi më i lartë i fëmijës. Babai im kishte 10 ditë që kujdesej për mua e për vajzën, se kam qenë me temperaturë e nuk kujdesesha dot. Çfarë nuk me kanë dëgjuar veshët këto ditë! Unë nuk kam as parti, as partizane, që të dalin të më mbrojnë, kam vetëm të vërtetën time”, deklaroi Elia.
Ngjarja tronditëse dhe e paprecendentë në Pallatin mbretëror ndodhi javën që lam pas.
Princ Leka dhe ish-bashkëshortja e tij, Elia Zaharia paditën njëri-tjetrin për dhunë.
Situata u bë edhe më dramatike, kur u publikuan edhe pamjet e dhunës brenda pallatit. Vetëm dy ditë pas përplasjes fizike (5 mars) mes Princ Lekës dhe Elia Zaharias, Gjykata ka dhënë vendimin për të dyja palët.
Gjykata Civile e Tiranës firmosi dy urdhërmbrojtje për Princ Lekën dhe ish-bashkëshorten Elia Zaharia, në proces divorci. Seanca u mbajt dje paradite ku ishte e pranishme dhe vetë Elia Zaharia dhe babai i saj. Ndërsa Leka Zogu ll nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati i tij.
Sipas informacioneve, gjykata nuk ka pajisur me urdhër babin e Elias, Gjergj Zaharinë. Çifti duhet të mbajnë distancë 5 m, nga njëri-tjetri. Ndërkohë, Leka Zogu duhet të takojë vajzën e vogël jo në prezencë të Elias por të dados. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas kallëzimit në polici për veprën penale “Dhunë në familje”. Gjithashtu, po kryhen hetimet për të zbuluar se kush e nxorri videon në media.
“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën ‘Murat Toptani’ rezidenca e familjes mbretërore nr.6, Tiranë për të takuar vajzën time, të moshës 3- vjeçare, pasi me ishbashkëshorten, shtetasen Elia Zogu, jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me shefin e Administratës së Oborrit, shtetasin Syl Mulosmanaj, të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Me pas, unë i kam kërkuar Syles që të më shoqëronte deri te vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten. Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylen edhe kam gjetur vajzën time të vogël, Geraldina Zogu, e moshës 3 vjeç, e cila ka qenë në shoqërinë e gjyshit teë saj, babit të ishbashkëshortes, shtetasit Gjergj Zaharia.
Në këtë moment, unë kam përqafuar vajzën time, dhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim, duke më thënë se ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua. Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke iu drejtuar Gjergjit që të mos më ofendojë e kërcënojë, sidomos në prani të vajzës, dhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këto momente, situata ka agravuar. Shtetasi Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma te këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur dhe më ka grisur xhupin, si edhe ka marrë edhe një send të fortë(statuj druri) me të cilin më ka goditur”, ka dëshmuar Princ Leka.
Nga ana tjetër, Elia Zaharia pretendoi se Princ Leka ishte i dhunshëm, e kapi nga duart dhe tentoi ta godiste. Aktorja është shprehur se ajo dhe i ati, Gjergj Zaharia, janë vetëm brojtur.
“Erdhi i agresuar dhe u bë i dhunshëm. Më ka kapur prej duarsh, më ka shtyrë dhe ka tentuar që të më godasë. Ne jemi vetëmbrojtur”, ka deklaruar ajo.
Gjithashtu, edhe babai i aktores ka hedhur poshtë pretendimet e Princ Lekës, duke deklaruar se ishte ky i fundit që e dhunoi.
“Jam i moshuar. Me zor qëndroj në këmbë jo të sulmoj një djalë të ri”, ka dëshmuar Gjergj Zaharia për Policinë.
Në momentet që vetë Princi ka filmuar me celular, shfaqen pamjet kur Elia e qëllon dhe tërheq për xhakete, duke e akuzuar se ka qëlluar babanë e saj. Më pas, Elia e akuzon Princin se ka falsifikuar dokumentet e studimeve dhe se do e demaskonte.
“I ke gjuajtur babit tim, të preksh ti me dorë babin tim. Do të të çoj në gjyq. Ti ke falsifikuar. I ke thënë shtetit shqiptar që ke shkollë, por në të vërtetë nuk ke. Ke vetëm 4 klasë shkollë”, dëgjohet Elia Zaharia në video.