“Vajza ime bleu një biletë vdekjeje”, theksoi me zemërthyer shqiptarja Alma Lata, nëna e 20-vjeçares Klaudia, e cila vdiq një vit më parë, kur dy trenat u përplasën në Tempi, Greqi.
Sipas raportimeve të mediave të vendit fqinj e vetmja gjë që kërkon nëna e të ndjerës është që përgjegjësit e tragjedisë të gjykohen dhe nëse shpallen fajtorë të kthehen pas hekurave.
Ajo thotë se tre ditë pas tragjedisë, trupin e Klaudias ia sollën me qese të zeza, pasi i kishte mbetur vetëm hiri.
“Sot është dita më e vështirë e jetës sime, zija është e madhe, na mungon shumë. Kisha një shpresë si një nënë për ta gjetur të gjallë, por tre ditë më vonë ma sollën me një thes të zi… Na e dogjën fëmijën dhe na e dhanë në një kuti hiri”, tha Lata.
Ajo thotë se vajza e saj kishte frikë të përdorte autobusin dhe preferonte hekurudhën sepse mendonte se ishte më e sigurt.
“Kam humbur një doktoreshë, ajo ishte e mrekullueshme, ajo arriti shumë lart dhe nuk mund të kthehet më”, thotë ajo për Klaudian.
Klaudia Lata, një nga 57 të vdekurit e asaj nate fatale, ka lindur në Larisa, ndërkohë që kishte marrë nënshtetësinë greke.
Studente e shkëlqyer, ajo arriti në Departamentin e Mjekësisë dhe studioi në Shkollën e Mjekësisë të AUTH-së.
Ajo ishte në tren duke u kthyer në shkollën e saj nga Patras, gjatë momentit që ndodhi aksidenti dhe humbi jetën.