“Fëmijët janë indoktrinuar nga nëna”, kështu ka deklaruar avokat Ermal Hamataj në lidhje me vrasjen e Pëllumb Metës më 10 shkurt në Shënavlash të Durrësit. Hamataj dyshon se për vrasjen e babait, fëmijët janë nxitur nga e ëma.
“Që fëmijët të arrijnë në unitet dhe të vrasin babanë, ta varrosin, mund ta bëjnë vetëm për indoktrimin e marrë nga nëna. Nuk ka shans që ta kenë bërë për arsye tjetër, përveccse indoktrinomi nga nëna. Fëmijët janë nxitur nga nëna”, tha ai në një emision televiziv.
Avokati u ndal më tej te figurat e viktimës dhe autorëve, duke deklaruar se i vetmi i dhunuar në atë familje, ka qenë pikërisht viktima.
“Shihni pak figurën e viktimës, një person që punonte lavazhier gjysmën e parë të ditës dhe roje gjysmën tjetër.. Nga ana tjetër shohim personat e dyshuar që kanë kryer veprën, një prej djemve të dyshuar jetonte mes Anglisë, Shqipërisë dhe Italisë, vajza studente, në Tiranë. A ju duken fëmijët subjekte që mund të dhunohen aq shpjet nga personi i parë?
Vajza mund ta kishte denoncuar se e dinte shumë mirë rrugën që do duhej të ndiqte.
Mua nuk më duket se kanë qenë persona të dhunuar nga viktima. Po të dëgjoni mënyrën se si bashkëshortja e të ndjerit flet për ngjarjen, ftohtësinë e saj, mua më duket se i vetmi i dhunuar në atë familje ka qenë pikërisht viktima. I dhunuari psikologjikisht.
Në një rast vrasje në familje, motivi s’ka për tu kuptuar kurrë”, shtoi ai.