Ngjarja e rëndë e shënuar ditën e djeshme në Lushnje, ku një 18-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë, duket se nuk ka mbaruar me aq.
Sot për mediat janë zbardhur detaje të reja, teksa vajza kishte vetëm 25 ditë si nuse.
Për mediat kanë folur prindërit e bashkëshortit të saj.
Të pikëlluar për humbjen e saj, ata hedhin poshtë çdo dyshim se 18 vjeçarja është konfliktuar me të shoqin. E përshkruajnë si një vajzë të dashur e të mirë me të gjithë.
Madje ata kërkojnë që të zbardhet ngjarja, pasi sipas tyre e reja bullizohej nga shoqet në shkollë. Ditën që ajo konsumoi fostoksinë, shprehen ata, kishte dalë nga shkolla duke qarë. Një nga kushërinjtë e familjes, Indrit Bytyçi thotë se ishte me Entilo Drajçin (bashkëshorti i 18 vjeçares) kur gruaja e tij i shkroi mesazh “Hajde se piva helmin”.
Ata kanë shkuar menjëherë në banesë dhe e kanë dërguar në spital.
“Ajo i shkruajti mesazh që piva fostoksinë. Ai i shkruajti mos guxo dhe ne u nisëm me vrap për te goca. E gjejmë në këmbë, ishte mëse normale, me gotë uji në dorë. E pyet e ke pirë apo jo, ajo e pohoi pastaj ne e morëm direkt për në spital, gati sa nuk bëmë aksident. Djali ishte te lokali, sa e lamë në shtëpi, punë minutash…Sa u ulëm, vajza i shkruan mesazh.”
Viktima 18 vjeçare dhe djali 24 vjeçar ishin njohur 2 vjet më parë në rrjetet sociale. Policia e Fierit po heton në gjendje të lirë djalin, ndërsa atij i është marrë telefoni dhe është pyetur në lidhje me ngjarjen.