Ana Veizi, me hapa të ngadalë, i afrohet vendit ku 13 vite më parë në mes të bulevardit iu vra babai.
Në këtë përkujtim të 13-të të 21 Janarit, dhimbja nuk është ndalur. Vitet kalojnë me shpejtësi duke vijuar së prodhuari lot te familjarët e katër viktimave. Ana Veizi, vajza e Ziver Veizit në një rrëfim të gjatë e intervistuar për një program televiziv me emocione të forta tregon se ç’do të thotë të rritesh vetëm, pasi plumbat e Gardës së Republikës i morën jetën e babait duke e lënë jetime bashkë me vëllanë, Keidin.
Gazetari: Ana, ju kaloni shpesh në këtë vend ku babai juaj u vra në 21 Janar 2011. Çfarë ndjesie keni sa herë kaloni këtu?
Ana Veizi: Realisht për mua është shumë e vështirë sa herë kaloj këtu. Unë duke qenë se jetoj në Tiranë ndaloj shpesh te ky vend dhe më sjell kujtime jo të mira. Më kap ankthi. Ndjehem shumë keq. Përlotem dhe iki.
Gazetari: Ankthin për mungesën e babait si e amortizoni?
Ana Veizi: Përpiqem duke e mbushur veten time se një ditë do të zbardhet e drejta. Më mungon shumë, ndjej një pjesë të paplotësuar në veten time, një boshllëk shumë të madh, sidomos tani që jam rritur. Se kur kam qenë e vogël, nuk i mendoja kaq gjatë gjërat. Por sot, duke qenë më e rritur, edhe përgjegjësitë, hidhërimet, gëzimet, bëhen më të mëdha. Do të kisha nevojë për një përqafim, për një këshillë, për të më thënë që nuk jam vetëm. Malli dhe mungesa për të nuk do të më shuhet kurrë. Nuk do të mësohem kurrë.
Gazetari: Pra, vakumi që ka lënë babai në jetën tënde, është i parikuperueshëm?
Ana Veizi: Absolutisht që po. Ka qenë për mua gjithçka. E kam shumë të vështirë të mësohem me këtë idenë e vonesës së drejtësisë. Kur babai im iku nga jeta, unë isha vetëm 10 vjeçe. Kam imazhin e tij, kam imazhin këtu, nuk më ikën asnjëherë nga mendja. Ka raste që zgjohem me këtë imazh nga gjumi. Ta dija se nuk do ta takoja më, do t’i jepja një përqafim. Ta ndieja edhe njëherë aromën e tij, ngrohtësinë e tij.
Çelësi për të bërë drejtësi është të mos bëjmë sikur nuk i shohim ose nuk i dimë gjërat, shprehet Ana.
Unë e di që shumë prova janë fshirë, për mos të thënë të gjitha. Por, besoj se ka ende dëshmitarë që duhet të pyeten. Ka ende prova të dala dhe të padal për të arritur në zgjidhjen e çështjes së 21 Janarit.
Nëse do të ishte në dorën e Anës dhe të familjarëve të tjerë, 21 Janari do të ishte një përkujtimore për Dëshmorët e Atdheut dhe jo një kërkesë me zë të lartë për drejtësi. Vitet kalojnë, gjërat nuk kanë ndryshuar. Unë shpresoj që të ndryshojnë, por ne si familjarë, asnjëherë nuk kemi nguruar për të kërkuar drejtësi. Megjithatë, unë shpresoj dhe lutem që kjo çështje të mos zvarritet më tepër.
Ende nuk fle e qetë me mendimin se shpirti i tij ende nuk është rehatuar akoma. Por, them me sinqeritetin më të madh që nuk e kam gënjyer asnjëherë veten, duke shpresuar te drejtësia. Asnjëherë nuk do të mësohem me mungesën e tij.
Shpresoj të vihet e drejta sa më shpejt, apelon Ana Veizi.