Vendimi i qeverisë për të mbyllur TikTok ndez debatet në Shqipëri, Rama përplaset në distancë me kompaninë kineze dhe akuzon rrjetin social se “çmendi” shqiptarët, opozita shpërthen në akuza të forta ndaj kryeministrit dhe zbulon arsyen pse u mbyll platforma
Rigels Seliman
Vendimi i qeverisë shqiptare për të mbyllur TikTok ka shkaktuar një debat të nxehtë në vend. Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër rrjetin social dhe ka akuzuar platformën për “çmendjen” e shqiptarëve, duke i referuar efektit të saj të madh në përdorimin e saj në vend. Ai e ka cilësuar TikTok si një kërcënim për shëndetin mendor të individëve dhe ka vënë në dukje ndikimin e mundshëm negativ që mund të ketë mbi shoqërinë shqiptare. Nga ana tjetër, opozita është ngritur kundër vendimit të qeverisë, duke e cilësuar si një veprim të papranueshëm dhe duke e konsideruar atë si një tentativë për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe të informacionit. Ata kanë akuzuar kryeministrin Rama se po përdor këtë mbyllje si një mjet për të larguar vëmendjen nga problemet e tjera sociale dhe ekonomike që po përballon vendi. Përveç kësaj, opozita ka sugjeruar se pas këtij vendimi mund të fshihet një motiv i thellë politik, duke e lidhur mbylljen e TikTok me ndikimet që platforma ka në shpërndarjen e informacionit dhe mundësinë për të mobilizuar qytetarët. Ata janë të shqetësuar se ky veprim mund të përdoret për të kontrolluar më tej informacionin dhe për të shtypur opozitën. Pra ky debat ka nxjerrë në pah një përplasje të dukshme mes qeverisë dhe opozitës, dhe po vazhdon të ndodhë një shkëmbim i ashpër akuzash mbi këtë çështje.
Vendimi
Konkretisht nga janari 2025, qeveria do të nisë punën për mbylljen e TikTok për një periudhë 1-vjeçare. Pra, platforma TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë. Kjo lëvizje e qeverisë erdhi pas tragjedisë së vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, që sipas qeverisë zanafilla e dhunës dhe bullizmit mes të miturve nisi në rrjetin social TikTok. Kryeministri Edi Rama shpjegoi këtë fundjavë se do duhet një fazë kohore 6-8 javë për mbylljen totale të TikTok, vit që përkon edhe me zgjedhjet parlamentare. Më pas, ky vendim do të rishikohet në bazë të politikave që do ndjekin vendet e tjera, reagimin e vetë kompanisë kineze TikTok, por edhe se çfarë filtrash mund të aplikohen për kufizime. “Është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. TikTok do ta mbyllim për një vit. Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikTok”, zbuloi Rama në takimin e fundit përmbyllës të konsultimit publik. “Rugaç i lagjes që po merr peng fëmijët e quajti Rama’, platformën e TikTok. Kryeministri tha se promovon vetëm dhunë, krime e llum, në ndryshim të përmbajtjeve që shfaqen në Kinë, vendi mëmë i kompanisë. “TikTok është kompani që i ka rrënjët në Kinë, por po të shikosh Tik-Tok në Kinë dhe jashtë Kinës janë dy gjëra të ndryshme. Në Kinë promovon se si ruhet natyra. Rrugaçëri, perversiteti, dhunë, bullizëm, krim, thika, nuk sheh në TikTok e kinës, në TikTok jashtë kinës vetëm llum dhe qenëri, çfarë na duhet ne kjo”, u shpreh ai. Një përgjigje i dha dhe opozitës, që pas ngjarjes në shkollën Fan Noli, kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. “Ministrja ka jo vetëm gjithë mbështetjen time, por kam bindjen se ashtu sikurse ka luajtur një rol në transformimin e sistemit shëndetësor, do të luaj një rol që do jemi falënderues edhe në transformimin e sistemit arsimor”, nënvizoi Rama.
Reagon kompania kineze e rrjetit social TikTok
Ndërkohë kompania kineze e rrjetit social, TikTok thotë se do të kërkojë “sqarime urgjente nga qeveria shqiptare” lidhur me vendimin për mbylljen e platformës TikTok për një vit në Shqipëri, shkruan Associated Press. Sipas vendimit të bërë të ditur dje nga kryeministri Edi Rama prej janarit të 2025 platforma e TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë, si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me armë të ftotë të 14 vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, gjatë një konflikti me një tjetër nxënës po i kësaj shkolle, ndodhur më 18 nëntor 2024. Platforma fajësohet për nxitje të dhunës dhe bullizmit, veçanërisht midis fëmijëve. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse TikTok ka një kontakt në Shqipëri, shkruan AP duke publikuar dhe një përgjigje me email, ndaj një kërkese për koment nga kompania kineze e cila informoi se do të kërkojë “qartësi urgjente nga qeveria shqiptare” për rastin e adoleshentit të vrarë me thikë. Në një reagim për Associated Press kompania e rrjetit social, TikTok tha se “nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.”
Rama i përgjigjet TikToku-t
Sakaq me anë të një reagimi në X, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kompanisë kineze Tik Tok duke theksuar edhe një herë vendimin e Shqipërisë për të ndaluar TikTok-un për një vit, duke argumentuar se ky nuk është një hap i nxituar, por një përgjigje e arsyeshme ndaj shqetësimeve të prindërve dhe komunitetit edukativ për ndikimin negativ të kësaj platforme mbi fëmijët dhe adoleshentët. Rama thekson se Shqipëria, si një vend demokratik, ka marrë këtë vendim duke u bazuar në kërkesat e shumicës së prindërve, të cilët shprehin shqetësimin për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve të tyre në këtë platformë. Në fund, Rama shton se Shqipëria nuk ka pse jep sqarime për TikTok, por ka bërë një vendim të qartë: ose TikTok duhet të mbrojë fëmijët shqiptarë, ose Shqipëria do të ndërmarrë masat për t’i mbrojtur ata nga kjo platformë. “Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë. Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi. Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku”, shkroi dje Rama.
Reagon Berisha
Nga tjetër kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reaguar dje pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Edi Rama për mbylljen e platformës së TikTok, për një vit. Përmes një postimi në TikTok, Berisha shprehet se ndalimi i kësaj platforme digjitale, është një akt ekstrem, teksa ndalet te përgjigja e dhënë nga vetë platforma për rastin e vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani një muaj më parë. Ndër të tjera, krye demokrati i bën thirrje qytetarëve që të bëjnë thirrje mbrojtjeje të kësaj platforme. “Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e Tik Tok-ut”, thekson Berisha. Sipas tij, “ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë. Mirëpo, kompania e Tik Tok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete. E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet. Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri. Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma”, shkroi Berisha. Ai garantoi se, platforma e Tik Tok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve.
Mbyllja e TikTok, Bardhi
Po ashtu, edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok për një vit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thotë përtej ndikimit që mund të kenë rrjetet sociale, shkaku i vërtetë i keqformimit të fëmijëve dhe të të rinjve, sipas tij, është “mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale”. Modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës! Ajo i jep modelin fëmijëve se: nëse vjedh bëhesh ministër; nëse vret apo trafikon drogë bëhesh deputet; nëse dhunon dhe bashkëpunon me bandat bëhesh drejtor policie; nëse je arrogant bëhesh kryetar bashkie; nëse je militant partie bëhesh drejtor shkolle; apo nëse je bandit emëron drejtorë dhe fiton tendera. A nuk është më e shëndetshme për fëmijët dhe garanci më e madhe për mirërritjen e tyre që të mbyllim qeverinë e Edi Ramës?! Sigurisht që PO! Boll është boll, 12 vjet keqqeverisje dhe gjithmonë një alibi e gatshme që faji është diku tjetër. E vërteta është që faji është tek papërgjegjshmëria e Qeverisë së Edi Ramës, tek mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale”, shkroi dje Bardhi.