Fermerët e fshatit Mbreshtan, në Berat, të njohur për prodhimin e ullirit dhe frutikulturën, kanë shprehur pakënaqësi për sezonin aktual, i cili ka rezultuar i dobët.
Thatësira gjatë periudhës së lulëzimit të ullirit, cilësia e ulët e pesticideve dhe mungesa e fuqisë punëtore janë disa nga sfidat kryesore që kanë ndikuar negativisht në prodhimin e këtij viti.
Sipas pronarëve të fabrikave të vajit të ullirit, prodhimi ka rënë me 40-50% krahasuar me vitin e kaluar. Feçor Zema, administrator i një fabrike vaji, thekson se pesticidet dhe plehrat që përdorin fermerët nuk kanë cilësinë e duhur, duke mos dhënë efektet e pritshme në rendimentin e ullirit. Edhe fermerët, si Vangjel Ngjelo, e cilësojnë situatën të vështirë dhe shprehin shqetësime për mungesën e ndërhyrjeve efektive në bujqësi.
Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, fermerët janë detyruar të mbështeten kryesisht tek anëtarët e familjeve të tyre për të nxjerrë prodhimin në kohë.
Zona e Mbreshtanit dhe fshatrat përreth numërojnë mbi 100 mijë rrënjë ulliri, që përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për banorët. Megjithatë, këtë vit, problemet e shumta kanë ndikuar negativisht në ekonominë e fermerëve të kësaj zone.