Pas vendimit të GJKKO, sot janë sekuestruar pasuritë e Redjan Rrajas, i dënuar përjetë për atentatin ndaj ish-prokurorit Ardjan Ndoji. Gazetari Sokol Bregu, i ftuar në një studio televizive, tha se bëhet fjalë për pasuritë e pajustifikuara dhe jo banesat, të cilat u sekuestruan në kuadër të hetimit pasuror.
Bregu u shpreh që fakti që i afërmi i Rrajas ka qenë deputet mund të ketë patur një ndikim në zgjedhje, por ende s’janë hedhur dyshime nga SPAK mbi këtë. Bregu thotë se shteti i nxjerr në shitje pasuritë e krimit, por nuk i ble njeri.
“Ka një rol vendimtar në disa prej ngjarjeve kriminal që kanë ndodhur në vitet 2020-2021 në Shqipëri, kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe Durrësit. Edhe pse flasim për një personazh të tillë, duhet të kuptojmë që krimi që kreu ishte me shumë probleme sa i përket mënyrës së ekzekutimit. Ishte ndoshta historia më amatoreske që mund të ketë ndodhur i një vrasësi me pagesë, nuk dogji dot makinën. Është rasti i parë dhe i vetëm në ekzekutime, ku autorët e një krimi s’arrijnë dot të djegin makinën, me të cilën kanë lëvizur pasi kanë kryer aktin kriminal. Nuk ishte as pak e vështirë që Prokuroria të gjente gjurmët e gishtrinjve të dy personave në fjalë. Dyshohet se kanë qenë 17 persona në dijeni që do ndodhte kjo.
Nuk ka një lidhje personale mes grupeve që operojnë në Shijak, Durrës, Fushë-Krujë, thjesht bëjnë biznes në krim. Personi në fjalë binte në sy sepse kishte të dashur një nga vajzat më në zë të showbiz-it. Pas përfundimit të gjykimit edhe në Apel vjen historia e konfiskimit. Fakti që i afërmi i tij ishte një deputet i PS besoj që ndikonte. Bëhet fjalë për një ndikim të madh në zonë. Familjet e mëdha kanë ndikimet e tyre për të mbledhur vota. Kështu funksionon Shqipëria, kanë krushqi, biznese në zonë. Por ende s’e kemi të hedhur në dyshim se si gjendeshin votat në Fushë-Krujë.
Në rastin e z.Çyrbja e kemi. Është 1 milion euro dhe një automjet luksoz. Ai ka katër vjet që rri në garazh. Prokuroria di që pasuria është kaq, dhe ai s’justifikon dot të ardhurat. A i ka marrë se është përfshirë në një akt tjetër, apo trafik, kjo është tjetër histori. Kur SPAK të heton si strukturë kriminale do të bëjë edhe hetimin pasuror. Asetet e konfiskuara do ngelen ashtu. Vetëm automjetet hyjnë direkt në punë të shtetit, përdoren, pjesa tjetër nuk mundet. Shteti i nxjerr në shitje, por s’i ble njeri. Bota e zgjidhi duke jua kaluar për objekte sociale bashkive, por edhe kjo është e vështirë në Shqipëri, përveç Bashkisë Tiranë. Vetëm banesat janë të justifikuara sepse ka pasur një aktivitet tregtar, ka qenë dentist”.