Rigels Seliman
Teksa skandali dhe korrupsioni politik janë bërë pjesë e përditshmërisë së shoqërisë shqiptare, një paralajmërim i fortë është ngritur nga deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ka bërë një deklaratë të fuqishme, duke paralajmëruar një “lajm bombë” për dy figurat më të përfolura të politikës shqiptare, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentin Ilir Meta, të cilët po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për disa afera të dyshuara korruptive.
Sipas tij, hetimet që po zhvillohen nga SPAK ndaj çiftit Meta-Berisha do të zbulojnë fakte shokuese për vjedhjen e floririt, një akt që ka lidhje me një skemë kriminale të transportuar me gomar në drejtim të paditur. Ky paralajmërim vjen pas një serie të akuzave që kanë mbushur faqet e gazetave, dhe sipas tij, zbardhja e këtyre fakteve do të tronditë opinionin publik dhe do të zbulojë rrjetin e korrupsionit në nivelet më të larta të shtetit. Fakte të tilla, të cilat deri më tani ishin të fshehura, do të vënë në pikëpyetje të gjithë sistemin politik dhe drejtësinë shqiptare. Megjithatë çfarë do të zbulojnë hetimet dhe si do të reagojë opinioni publik? Koha do të tregojë, por paralajmërimi tashmë është bërë dhe nuk mund të kthehet mbrapsht.
Ja reagimi i Z. Çela për gazetën “SOT”
“Entuziazmi i Sali Berishës është si entuziazmi i të mbyturit që fillon të mbahet teksa fija e kashtës në mes të detit! Ai e di mirë se çfarë e pret, por si populist sharlatan, mundohet të gënjejë ata që ka vite që i vjedh, i vret dhe i gënjen! KOHA E TIJ KA PËRENDUAR! Akuzat i janë shtuar dhe së shpejti do t’i humbasë të gjitha liritë; do të humbasë edhe Liri Berishën! Berisha gjithë jetën ka luajtur me shumë standarde dhe blofe në interes të vetes dhe familjes së tij, por në darët që e kanë mbërthyer, s’ka asnjë mundësi të shpëtojë… por ata po luajnë me të si macja me këtë mi të ngordhur! Nuk është i liruar, por më fort i shtrënguar nga shumë akuza të cilat çdo ditë e rëndojnë, jo vetëm hallin e tij, por edhe të familjarëve.
Tragjedia e “Gërdecit”, dosja “Partizani”, masakra e “21 Janarit” dhe shumë e shumë të tjera që do t’i shtojë floriri i Skraparit! Çifti Berisha-Meta janë të lidhur me shumë vepra, të cilat janë veshur shumë herët me floririn që e transportuan me gomar për në drejtim të paditur. Ata të dy do të jenë bashkë shumë shpejt dhe në akuza për njëri-tjetrin! Nga hetimet që vazhdojnë, ata do të njohin edhe me fakte që s’kanë qenë të “NDERSHËM”, as si bashkëpunëtorë në këto vjedhje dhe krime monstruoze në emër dhe në kurriz të qytetarëve, të cilët vazhdojnë t’i mashtrojnë, herë si trima dhe atdhetarë, e herë si qengja. Por populli besoj se i ka njohur dhe se shpejti do t’u kthejë kurrizin dhe do t’i duartrokasë për dënimet e tyre! Prokurorët specialë dhe gjyqtarët s’janë me ata të plepave që prodhoi ky monstruoz për interesat e tij – janë të tjerë dhe mbajnë markën ‘Made in SHBA’”, deklaroi deputeti i PS, Bujar Çela gjatë një reagimi për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se referuar zhvillimeve të fundit rreth Sali Berishës dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për ta nxjerrë atë nga “arresti shtëpiak”, duket se ka një entuziazëm të theksuar nga ana e ish-kryeministrit dhe mbështetësve të tij, të cilët e interpretojnë këtë si një fitore të tijën në luftën me drejtësinë. Në një kohë kur ai dhe aleatët e tij po e shesin këtë vendim si një shenjë të pafajësisë, pyetja që lind është se nëse ky moment mund të jetë një kthim në favor të Berishës apo vetëm një pjesë e strategjisë së tij politike. Po ashtu, Berisha ka demonstruar një qëndrim me standard të dyfishtë, pasi ndonëse kishte kritikuar sistemin e drejtësisë të rinovuar, tani e mbështet gjyqtaren që e nxori nga izolimi.
Ky kthim i tij në qëndrim të dukshëm është një prej çështjeve që ngre pyetje për sinqeritetin e veprimeve të tij. Por pavarësisht lirimit, Berisha vazhdon të jetë nën hetim për disa çështje të rëndësishme, si ngjarjet e 21 Janarit dhe dosja “Partizani”, duke e bërë të qartë se kjo nuk është fundi i përballjes tij me drejtësinë. Pyetja e rëndësishme këtu është nëse ai mund të mbajë përgjegjësi për këto ngjarje dhe çfarë ndikimi mund të ketë ky proces hetimor në të ardhmen e tij politike. Në këtë kuadër, sulmet e tij dhe të Ilir Metës ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) janë gjithashtu një element kyç, pasi ato duket se synojnë të minojnë besimin tek institucionet e drejtësisë, duke ngritur dyshime mbi ndikimet që mund të kenë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të specializuar, të cilët mund të ndihen të kërcënuar në ushtrimin e detyrës së tyre./sot