Thirrjes së djeshme të kreut të Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhit, që e kërkonte me ngulm në sallën e Kuvendit për të dhënë llogari mbi paratë që shteti shqiptar duhet t’i paguajë Françesko Becchettit, kryeministri Edi Rama iu përgjigj në distancë. Pikëpyetjes nëse shteti shqiptar ka nisur ekzekutimin e pagesës për biznesmenin italian Becchettin, Rama i dha përgjigje shteruese në rrjetet sociale, duke thënë se asnjë para nuk është paguar për atë që e quan kriminel të dënuar. “A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumente shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?!
Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë. Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën!”, deklaroi ai. Edhe Becchettin e paralajmëroi se betejën me shtetin shqiptar nuk e ka fituar përfundimisht, në kushtet kur Shqipëria është angazhuar për të faktuar me prova se Beketi ka manipuluar Arbitrazhin.
“Ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë”, nënvizoi ai. Rama thotë se për shpifjet e tyre, opozita do ta marrë përgjigjen në 2025, kur siç thotë, populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë.