Pas përfshirjes së emrit të aktorit, i përfshirë në skemën e pastrimit të parave të ish-ministrit të Ilir Beqaj, ka reaguar vetë Ermal Mamaqi.
Restoranti “Me Nam”, në pronësi të Mamaqit, është pjesë e listës ku faturoheshin fatura fiktive, kandautori ka mohuar të jetë i përfshirë.
Mamaqi ka shpërthyer edhe ndaj mediave ku janë publikuar bisedat mes zyrtarëve pas zbardhës së dosjes hetimore të SPAK.
Reagimi i Mamaqit:
Përshëndetje të gjithëve!
Nisur nga një lajm i rremë që po qarkullon së fundmi dua të bëj një sqarim për fansat dhe dashamirësit e mi, gjithashtu kam një kërkesë të drejtëpërdrejtë për të gjithë ata që në mënyrë të qëllimshme ose prej mungesës së profesionalizmit, kanë kontribuar në shumëfishimin e kësaj të pavërtete.
Nuk jam i përfshirë në asnjë skemë pastrimi parash dhe nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, ndryshe nga çfarë po përflitet.
Ky informacion i rremë, i shpërndarë nga disa media dhe gazetarë të cilët kanë shkelur me të dyja këmbët etikën dhe parimet e profesionit të tyre, ka shkaktuar dëme psikologjike, morale dhe ekonomike.
Për rrjedhojë, ju bëj thirrje që të përgënjeshtroni dhe fshini të gjithë lajmet në adresën time lidhur me këtë çështje, pasi në të kundërt, ndaj çdo subjekti të përfshirë do të ketë një ndjekje ligjore ku secili do përballet me pasojat që parashikon ligji.
Ndërsa atyre që janë angazhuar në fyerje dhe shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes, dua t’ju them se nuk është kjo mënyra për t’u ndjerë më mirë, apo për të ngushëlluar veten.
Kush ka të vërtetën me vete nuk i trembet asgjëje. Dhe e vërteta ime është puna që bëj, sakrificat e mia, arti im.
Në fund, dua ta mbyll me një lajm të mirë për të gjithë ata që më kanë mbështetur këto ditë dhe që kanë qëndruar pranë meje. Shumë shpejt lançoj dy projekte të reja filmike, do të shihemi në trajnimet për vetëzhvillimin dhe në shumë projekte të reja të cilat do t’i zbuloj në muajt në vijim.
Këto janë punët e vetme që di të bëj dhe falë tyre gëzoj çdo gjë që kam.
Shihemi së shpejti,
Ermali
Leave a Reply