Prokuroria Speciale (SPAK) pritet të tronditë të korruptuarit “VIP”. Burime kofidenciale të gazetës “SOT” bëjnë me dije se sot në orët e para të mëngjesit pozitat e qeverisë socialiste mund të shkunden nga themelet, pasi pritet arrestimi i një “peshku të madh”. Burime bëjnë me dije se prokurorët do të shkojnë deri në nivelet më të larta të mazhorancës. Kjo është dhe arsyeja e lëvizjeve të fundit nga Partia Socialiste për të marrë kontrollin e SPAK, i cili është një prodhim shqiptaro-amerikan, por që fijet luhen në Uashington. Këtë fakt e konfirmoi dhe gazetarja Anila Hoxha, e cila thotë se po qarkullon se do të arrestohet një politikan i rëndësishëm. Ajo foli dhe mbi zërat se SPAK është kërkuar masë arresti, por është refuzuar nga gjykata. “Parimisht fjalët që qarkullojnë pranë gjykatës së posaçme janë të tilla por janë ende të paverifikuar. Thashethemi ishte se SPAK kishte kërkuar urdhër arrest, por masa e sigurisë ishte kthyer, kjo ishte e pabazuar”, tha dje gazetarja Hoxha. Gjithashtu dhe Karamuço deklaroi se sot do të ndodhë arrestim i një personaliteti të njohur për shqiptarët, ndërsa shtoi se tashmë “topi” është në dorën e gjyqtarit, pasi i është çuar kërkesa nga SPAK. “Arrestime të mëdha gjithmonë ndodhin në fundjavë. Do të shohim shumë politikanë që do hyjnë e dalin në politikë, por edhe arrestime do të ketë. Pritet për një arrestim të martën. E marta është limiti 5 ditor. Të gjithë kanë lënë pushimet dhe janë në pritje. Gjithsesi është në dorë të gjyqtarit. O ka arrestim të martën, o nuk ka. Unë kam besim te SPAK. Arian Curri thotë ‘duhet të jetë fundjavë, nuk duhet të ketë lajm tjetër, e trata është që i madhi të jetë jashtë’, këto duhet të ndodhin në mënyrë që ngjarja të marrë vëmendja”, u shpreh dje Karamuço.
Mazhoranca në panik
Gazeta “SOT” raportoi pak javë më parë se SPAK së fundmi kanë kryer me dhjetëra vizita “blic” në zyrat e institucioneve shtetërore, duke mbledhur me mijëra faqe e dokumente për të provuar akuzat ndaj zyrtarëve të lartë që janë përfshirë në hetim nga SPAK-u, ku janë disa ministra, e ish-ministra të kabinetit, sekretarë të përgjithshëm të tyre, por edhe zyrtarë të tjerë që janë në funksion apo janë larguar. Burime bëjnë me dije se në skanerin e prokurorëve kanë qenë Ministria e Transporteve, Financave, Bujqësisë, Turizmit dhe drejtoritë që janë në varësi të tyre. SPAK ka sekuestruar dosje, telefona dhe kompjuterë për të thelluar hetimet në abuzime tenderësh, koncesionesh dhe afera të tjera korruptive. Prokurorët kanë ngjallur panik dhe frikë edhe tek Bashkia e Tiranës. Mesa duket SPAK ka materiale në duar dhe prokurorët janë gati të lëshojnë fletë-arrestet.
Frika e Ramës
Gjatë gjithë kësaj kohe kryeministri Rama ka qenë në panik nga SPAK. Madje në një mbledhje me sekretarët e përgjithshëm dhe drejtorët e agjencive në varësi të kryeministrisë, iu ka dhënë urdhër të mos ia hapin derën SPAK-ut dhe BKH-së, por të veprojnë pasi të jenë njoftuar. Sipas tij, nëse SPAK dhe BKH nuk i njofton sipas ligjit dy apo tri ditë më parë për kontrollet që do të kryhen apo marrjen e dokumentacionit të nevojshëm për hetimin, të mos lejojnë prokurorët apo zyrtarët e BKH-së të ushtrojnë kontrolle. Rama ka qenë i drejtpërdrejtë në mbledhjen e qeverisë, ku ka theksuar se pasi paralajmëroi drejtorët dhe sekretarët e përgjithshëm janë ministrat që duhet ta dinë dhe duhet të ndalin SPAK-un dhe BKH-në në veprimet që do të kryejnë. Kjo frikë e Ramës do të zbulohet orët në vijim kur të plasin arrestimet e mëdha.